TIRANË- Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka reaguar sot pas protestave të banorëve të lagjes “Kushtrimi” në Vlorë, banesat e të cilëve do të shemben për shkak të rrugës. Ministria sqaron se qeveria ka marrë një vendim për të shpronësuar sipas ligjeve në fuqi pronarët e disa banesave me leje ku do të kalojë rruga, ndërsa përveç shpronësimit, qeveria ka ofruar qira për dy vitet e ardhshme për ato familje që i kanë banesat pa legalizim apo në proces legalizimi.

“Qeveria Shqiptare ka marrë një vendim për të shpronësuar sipas ligjeve në fuqi pronarët e disa banesave ku do të kalojë rruga që do të lidhë qytetin e Vlorës me rrugën nacionale. Bëhet fjalë për një segment rrugor që do të nxisë turizmin dhe zhvillimin ekonomik jo vetëm në Vlorë, por edhe në të gjithë zonën jugore të Shqipërisë. Qeveria shqiptare përveç shpronësimit të pronarëve të ndërtimeve me leje, ka ndërmarrë edhe një hap më shumë me karakter social, duke ofruar qira për dy vitet e ardhshme për ato familje të cilat jo vetëm kanë ndërtuar pa leje, por edhe nuk i kanë ndërtimet e tyre të legalizuara apo në proces legalizimi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Nisur nga këta hapa të qeverisë, ministria bën thirrje se politizimi i projektit të rrugës është kundër interesave të qytetit dhe banorëve. “Teksa ndërtimi i rrugës i shërben zhvillimit të mëtejshëm të Vlorës, politizimi i këtij projekti dhe hapave që qeveria po ndërmerr shkon kundër interesave të qytetit dhe banorëve të saj”.

Ndërkohë sot, kreu i PD-së, Lulzim Basha doli në mbështetje të këtyre banorëve, të cilëve u kërkoi të mos dilnin nga shtëpitë e tyre.

Por edhe INUK ka paralajmëruar se të hënën do të nisë prishja e më shumë se 100 banesave në lagjen “Kushtrimi” për ti hapur rrugë kështu vijimit të projektit të Trans-Ballkanikes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb