Shqipëria tashmë ëndërron për Botërorin Katar 2022. Misioni nuk është i pamundur, por do të duhet shumë fat për të arritur majën e historisë së futbollit shqiptar.
Gjithçka kalon nga Budapesti. Më 9 tetor Shqipëria luan në transfertë ndaj Hungarisë dhe i duhen 3 pikë. Kuqezinjtë i dominuan hungarezët në Elbasan, por në Budapest do të jetë ndryshe pasi Hungaria ka treguar vetëm pak muaj më parë se di të ndalë ekipe të mëdha si Franca apo Gjermania.

Pas 3 ditësh, më 12 tetor Shqipëria pret Poloninë. Këtë shtator Polonia fitoi bindshëm 4-1 në Varshavë edhe pse kuqezinjtë zhvilluan një lojë të mirë e sulmuese. Polonia konsiderohet si rivali direkt në grupin I për vendin e dytë. Këto dy sfida janë deçizive për SHqipërinë dhe nëse arrihet të dilet me 6 pikë, atëhere kuqezinjtë me të gjitha gjasat janë në Play-Off.

Në nëntor, Shqipëria shkon në ‘Wembley’ me një mision të pamundur për të dalë me pikë ndaj Anglisë. Më pas më 15 nëntor, Shqipëria e ka detyrim fitoren në shtëpi ndaj Andorrës qoftë dhe me rezultat minimal.
Në rast se Shqipëria fiton ndaj Hungarisë, Polonisë dhe Andorrës atëhere është në Play-Off. Më pas, aty Shqipërinë e pret me të gjitha gjasat një kundërshtar i fortë me eleminim direkt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb