TIRANE-Edhe pse qeveria është tërësisht e majtë, pa asnjë aleat të ndryshëm nga ajo, ajo është e qartë në ndarjen e përgjegjësisë me biznesin privat. Por çfarë parashikon programi i Qeverisë së re për koncesionet, ose PPP, dhe cilat janë kostot për qytetarët?

Projektet e deritanishme
Nga hidrocentralet te shëndetësia dhe rrugët, qeveria do të japë gjithçka në dorë të privatit. Programi “1 miliardë USD”, është vetëm një pjesë. Kryesisht, ai do të përdoret për ndërtimin e akseve të reja rrugore ose plotësimin e atyre ekzistuese.

Programi parashikon që të jenë sipërmarrësit ata që do të angazhojnë kapitalet e tyre, dhe qeveria, në një afat më të gjatë, të shlyejë detyrimet. Në pamje të parë, duket si një zgjidhje e mirë, pasi nuk ka angazhim tjetër financiar.

Pra, paratë e taksave, në formë investimesh, do t’i paguhen kompanive që do të ndërtojnë rrugët, shkollat, apo projektet e tjera. Por, është ministri i ri i Infrastrukturës ai që tregon se do të ketë edhe një tjetër burim, dhe ky prek direkt qytetarët. Duke lexuar emrat e rrugëve të reja, Gjiknuri theksoi në kuvend se, një pjesë e madhe e këtyre projekteve do të financohet me skemën e njohur të partneritetit publik-privat dhe programit “1 Miliard dollarë”, tashmë të shpallur nga qeveria shqiptare.

“Të gjitha veprat infrastrukturore paguhen nga përdoruesit. Nuk ka asnjë skemë tjetër. Ku keni parë partneritet publik-privat, ku përfituesi final të mos paguajë veprën publike? Ka disa projekte të ardhura në ministri, ka projekte të tjera që presim, dhe me ngritjen e strukturave të posaçme që do të trajtojnë, të gjitha projektet koncesionare, pra PPP, këto projekte do të vihen në zbatim me kohë. Njëkohësisht edhe shteti do të marrë riskun e tij.” Përdoruesi i fundit i rrugës është qytetari që kalon me makinë. Pra, qartësisht, rrugët e reja do të jenë me pagesë.

Edhe targat me koncesion?

Rreth tre vite më parë, në Ministrinë e Transporteve erdhi një propozim nga një kompani private për vendosjen e targave me cip. Pra, zëvendësimi i të gjitha targave të makinave. Vendosja e cipit, argumentohej në atë kohë, do të bënte të mundur kontrollin e automjetit në mënyrë elektrike. Bëhet fjalë për kontrollin e pagimit të taksave, siguracionit të detyrueshëm, si dhe gjobave të papaguara. Nga ana tjetër, projekti parashikonte, që duke vendosur pajisje në të gjithë rrugët kombëtare, do të bënte të mundur edhe kontrollin e shoferëve që shkelin sinjalistikën rrugore, kryesisht shpejtësinë.

Lidhja e cipit të targës me këto pajisje bënte të mundur kontrollin në kohë reale, të të gjithë dokumentacionit dhe shkeljeve të mundshme që kryente një përdorues automjeti. Në atë kohë, kompania parashikonte që çdo targë do të kishte një kosto prej 48 euro (me TVSH) për instalimin e çipit elektronik. Qeveria, sërish, i është rikthyer këtij projekti. “Numri i punonjësve të policisë rrugore i pranishëm në akset rrugore, gradualisht do të reduktohet dhe zëvendësohet nga pajisjet teknologjike.

Sistemi i evidentimit të shkeljeve rrugore do të jetë i informatizuar. Sistemet teknologjike që do të aplikohen me këtë rast do të japin të dhëna në kohë reale edhe mbi mjetet që qarkullojnë, duke identifikuar në kohë reale edhe raste të qarkullimit të mjeteve më të dhëna teknike jo të rregullta dhe/ose të vjedhura, etj…”, thuhet në programin e qeverisë.

Në program nuk flitet se çfarë procedure do të ndiqet, do të jetë shteti apo privati, që do të aplikojë teknologjinë e re. Por qasja e qeverisë për PPP-të, ka shumë mundësi të aplikohet edhe në këtë nismë të re./Panorama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb