Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një nisme për programin ‘Rrugët e Besimit’ nga jugu në veri. Aktualisht janë ngritur kantieret për restaurimin e plotë të 5 monumenteve të kulturës së besimit islam në vend, ku ndërhyrja e parë tërësore pas dekadash lënie ne rrënim do të nxjerrë në dritë vlerat e tyre të jashtëzakonshme kulturore e artistike duke i kthyer ne referenca kyç të itinerareve turistike.
Investimi në fjalë parashikon ndërhyrje në disa objekte kulti në Berat, duke nisur nga restaurim i Xhamisë Mbret, i Xhamisë së Beqarëve, i Teqesë Helvetive, por edhe Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë dhe Xhamia e Pazarit në Gjirokastër.

Ndërkohë, “Rrugët e Besimit” kalon edhe në Kishën e Shën Mërisë në Peshkëpinë e Sipërme të Dropullit, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve restauruese. Po ashtu parashikohet që të nisë shumë shpejt dhe restaurimi i pikturës murale në Kishën e “Shën Venerandës”, në Pllanë – Lezhë, ku do të kryhen ndërhyrje konservuese – restauruese në pikturën murale të kishës.

Pjesë e projektit është edhe restaurimi i Kishës së Shën Premtes”, në Valsh të Elbasanit. Sakaq, ka nisur puna për restaurimin e Urës së Shën Prodhomit, Voskopojë, monument kulture i kategorisë së I-rë, ndërtuar në shekullin XVIII dhe në Kishën e Shën Thanasit në Leshnicë. “Këto kantiere janë vetëm një nga ofertat e reja turistike në programin ‘Rrugët e besimit’, ku nga Veriu në Jug, po ofrojmë vendet e kultit më tipike dhe përfaqësuese, jo vetëm të kulturës dhe artit, por edhe të bashkëjetesës fetare si një origjinalitet shqiptar” –tha Kumbaro.

Në këtë verë janë miratuar disa projekte restaurimi nga KKR:
Restaurim “Ura Antiko – Mesjetare “mbi lumin Vjosë, nën kalanë e Tepelenës;
Restaurim “Ura e Nivanit”, Zagori;
Restaurimi i “Kalasë së Drishtit”, Shkodër;
Restaurim i pikturës murale në Kishën e Marmiroit, Pashaliman – Vlorë;
Restaurim i “Kalasë së Bashtovës”, pranë fshatit Vilë, Rrogozhinë;
Restaurim i “Urës së Mesit”, në fshatin Mes, Shkodër;
Restaurim i “Kishës së Ipapandisë”, në Dhërmi –Vlorë;
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb