Nga Nertil Jole
Besimin që mora nga Kryeministri në 13 Prill 2022 kur u emërova në detyrën e Prefektit të Qarkut të Korçës, e konsideroj si vlerësim dhe privilegj jo të zakonshëm. E përjetova me emocion pozitiv ditën kur e mësova e fill më pas, me ndjenjën maksimale të përgjegjësisë.

Në këtë një vit të ushtrimit të detyrës kam kuptuar se çdo ditë e këtij rrugëtimi përmbushës në shërbim të qytetarëve, është një mundësi e rrallë e cila të afron më shumë me njerëzit dhe komunitetet, por edhe të ushqen në mënyrë të pandërprerë motivin për t’iu shërbyer atyre me gjithë kapacitetin e mundësive të tua.

Ky nuk është vetëm detyrim institucional apo ligjor, por edhe një detyrim qytetar e pastaj politik. Përçimi i energjisë pozitive dhe frymës konstruktive jo vetëm për ekipin që drejtoj, por edhe i mbështetjes së skuadrave të tjera në qark, si dhe konsolidimi i një modeli sa më produktiv pune (për të cilin me të drejtë shumica e qytetarëve kanë pritshmëri gjithmonë e më të mëdha), është një sfidë e vazhdueshme dhe jo e lehtë.

Në fund të ditës, çdo përpjekje institucionale e jo vetëm nuk do të kishte kuptim plotësisht domethënës, kur si të tillë nuk e perceptojnë dhe ndiejnë vetë qytetarët të parët, ata të cilëve ne iu shërbejmë dhe i përfaqësojmë.

Duke e përkufizuar shërbimin ndaj qytetarëve jo vetëm nga optika e titullarit të një institucioni, por edhe si drejtues i një ekipi që ndan me bashkëpunëtorë përpjekje të vështira dhe arritje, gjithmonë në ndërveprim me drejtues e përfaqësues të administratës shtetërore në degë territoriale apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, do të vazhdoj me përkushtim së bashku me ekipin, të jem sa më pranë zgjidhjes së problematikave të komunitetit dhe plotësimit të detyrave funksionale.

Ofrimi i shërbimit me standarde sa më cilësore dhe ushtrimi i sjelljes institucionale ndaj qytetarëve, mund të jetë hera-herës një përpjekje e vështirë, por jo një mision i pamundur. Kjo është një rrugë që nuk mund të ndalet.

Në mënyrë që kjo të ndodhë me produktivitetin dhe ritmin e duhur ashtu siç qytetarët e presin, lipset që këtë arsyetim ta përqafojmë mundësisht të gjithë e pa dallim hierarkie. Aq më shumë ata që janë drejtues e titullarë, të cilët nuk mbajnë mbi supe vetëm përgjegjësinë e imazhit vetjak apo rekordeve të tyre, por kryesisht imazhin e atyre që iu kanë deleguar besimin, qoftë ky një besim i shprehur me zgjedhje apo me emërim.

Ndaj, jam sinqerisht falënderues e mirënjohës për besimin dhe përkrahjen që kam ndjerë, sepse ky angazhim publik përveç të tjerave, më ka dhënë mundësinë të njoh akoma më thellë e përmbajtësisht magjinë dhe potencialin e qytetit të lindjes, Korçës, por edhe të të gjithë trevës sonë me njerëz të mrekullueshëm të punës dhe arritjeve të suksesshme në çdo fushë. Në çdo anë të territorit të bashkive Korçë, Pogradec, Kolonjë, Maliq, Devoll e Pustec reflektohet dhe shfaqet gjithashtu një histori e traditë shumë e pasur, plotësuar kjo edhe nga bukuritë e bekuara natyrore.

Përgjatë këtij viti kam realizuar kontakte në të gjithë territorin e qarkut me drejtues, specialistë të fushave të ndryshme, shumë sipërmarrës e fermerë, sikurse banorë dhe aktorë të spikatur në mesin e komuniteteve të qyteteve dhe zonave rurale, me kujdesin për të qenë në komunikim me sa më shumë njerëz, për të njohur e trajtuar problematika e për t’u pasuruar me ide. Sipas rastit është dhënë zgjidhje, është kërkuar dhe koordinuar angazhimi i strukturave apo propozuar mbështetje nga institucionet qendrore. Gjithmonë duke respektuar dhe bashkëpunuar me çdo institucion e duke shmangur mbivendosjen e kompetencave.

Duke shfrytëzuar këtë moment të përmbylljes së një viti angazhim në këtë detyrë, dëshiroj të siguroj gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëpunëtorët, se në periudhën e mëtejshme do punojmë bashkarisht në mënyrë edhe më frytdhënëse në përpjekje të pandalshme për plotësimin me korrektësi të detyrës dhe njohjes nga afër e sistematikisht të problematikave të jetës sociale, ekonomike, shërbimeve, arsimit, shëndetësisë, sigurisë, etj, por edhe përballjes me sfidat afatmesme e afatgjata që do të konfigurojnë profilet dhe modelet e zhvillimit sa më të qëndrueshëm të rajonit tonë.

Si Parti Socialiste kemi motivimin e nevojshëm, përgjegjësinë politike, besimin dhe mbështetjen për të vazhduar pa kthim mbrapa në rrugën e progresit në të gjitha fushat.

Duke ecur në këtë rrugë, jam besimplotë se realizimi i punëve akoma më të mira në të ardhmen, do të jetë alternativa e vetme drejt zhvillimit e progresit të mëtejshëm të qarkut tonë, falë vëmendjes dhe mbështetjes së pakursyer, ashtu si në vitet e kaluara, të qeverisë së Kryeministrit Rama.

* Prefekti i Qarkut të Korçës

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb