Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër falenderimi Kryetares së Parlamentit të Serbisë, Znj. Maja Gojković me rastin e krijimit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare të Serbisë.

“Me kënaqësi mora lajmin për krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare të Serbisë. Gjej rastin t’Ju falenderoj për këtë inisiativë dhe t’i uroj Grupit të Miqësisë një veprimtari të frytshme, në përmbushjen e misionit të tij. Dëshiroj gjithashtu t’Ju informoj se në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë funksionon prej vitesh Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Serbi, i cili ka kontribuuar në zgjerimin e kontakteve dhe të bashkëpunimit ndërparlamentar. Grupet Parlamentare të Miqësisë përbëjnë një mundësi më shumë për intensifikimin e marrëdhënieve midis institucioneve të të dy vendeve tona dhe kontakteve e miqësisë midis qytetarëve që ne përfaqësojmë. Shpreh bindjen time se bashkëpunimi vizionar dhe i sinqertë midis Shqipërisë dhe Serbisë do të shërbejë si një faktor i rëndësishëm për prosperitetin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.”, shkruhet në letrën e falenderimit të Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, dërguar Kryetares së Parlamentit të Serbisë Maja Gojković.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: