TIRANE

Në përfundim të prezantimin të raportit vjetor të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH) për vitin 2018, sot në seancë plenare, kryeparlamentari Gramoz Ruçi ngriti tre shqetësime, ndërsa një kritikë e kishte edhe për deputetët në sallë.

“Duke përfunduar çështjen kolegë deputetë, duke ndjekur raportin, duke parë edhe rezolutën desha të ngrija edhe unë tri çështje: Ne jemi këtu përfaqësues të atyre që na kanë zgjedhur dhe ata, nëse na kanë ndjekur në këtë seancë, na shprehin pyetjen:

“Ç’raportim e diskutim po bëni ju kur televizioni publik shqiptar ka tetë kanale dhe unë që ju kam çuar në sallën e Kuvendit nuk i ndjek dot ato e ju diskutoni në parlament e flisni për paradat e sukseseve tuaja?” Është i vetmi kanal televiziv që taksapaguesit shqiptarë, votuesit e tu dhe të mi ( i drejtohet z. Musa Ulqini, në një komunikim pa mikrofon nga salla), janë aksionerë në financat e TVSH-së. Prandaj, ne të zgjedhurit e tyre, zgjedhësve tanë u jemi borxhlinj e duhet të përfshihet i gjithë debati, që kemi zhvilluar në komision dhe seancë, e kjo duhej përfshirë në rezolutë. E dyta, vërtitet një kanal tjetër, që preku pak znj. Milva: RTSH Kuvendi.

Diskutojnë deputetët dhe nuk merakosen për veten e tyre. Kur do të transmetohet Kuvendi në këtë kanal në mënyrë permanente? Kur? Duke u përsëritur çdo vit kështu? E treta, një pjesë e zgjedhësve tanë janë me aftësi të kufizuara. Kërkojnë nga ne se kur TVSH do të mundësojë të ndjekin Kuvendin përmes gjuhës së shenjave? Ndaj, raportimet në Kuvend dhe rezolutat e Kuvendit nuk duhet të jenë të rreme, duhet të jenë efektive, brenda të gjitha shqetësimeve, që kanë njerëzit që na kanë zgjedhur ne këtu.”- u shpreh Ruci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb