Në kuadrin e ditëve të fushatës kundër dhunës ndaj grave, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u është drejtuar me një letër krerëve të Drejtësisë dhe Policisë për zbatimin e legjislacionit kundër dhunës ndaj grave e vajzave.

Letra u është drejtuar znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Gent Ibrahimi, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm dhe z. Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

“Kuvendi i Shqipërisë, në dhjetor të vitit 2017, ka miratuar Rezolutën “Për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjore për parandalimin e tij”.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave, si një nga format mbizotëruese të dhunës, është një dukuri globale që prek të gjitha vendet, shoqëritë, komunitetet fetare dhe etnike. Parandalimi dhe lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave është parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm, të barasvlershëm dhe përfshirës, si dhe një vlerë dhe objektiv i rëndësishëm i qytetërimit të sotëm.

Në vitet e fundit, në vendin tonë, ka pasur zhvillime pozitive lidhur me hartimin ose përmirësimin e legjislacionit kundër dhunës në familje, që kanë përmirësuar ndjeshëm mënyrën se si i trajtojnë institucionet rastet e dhunës kundër grave dhe vajzave dhe dhunën në familje.

Por, pavarësisht zhvillimeve pozitive, të dhënat për rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, tregojnë se dhuna është ende e pranishme dhe shfaqet në forma të ndryshme deri tek më ekstremet, ku më së shumti viktima janë gratë dhe fëmijët. Sipas raportit të GREVIO, dobësitë më të mëdha që prekin mekanizmat e referimit kanë të bëjnë me mungesën e zbatimit të duhur të urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes nga përmbarimi, përgjigjet e papërshtatshme nga sistemi i gjykatave dhe një përfshirje e pamjaftueshme e profesionistëve të shëndetit, përfshirë këtu mjekët ligjorë.

Kuvendi i Shqipërisë vëren se sistemi i drejtësisë (policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale në sistemin e drejtësisë penale) nuk ka qenë efektiv sa duhet lidhur me hetimin dhe shqyrtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të zbatimit të drejtë të dispozitave ligjore të Kodit Penal për dënimin e dhunuesve dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat.

Pavarësisht se qasja holistike kundër dhunës ndaj grave nuk mund të mbështetet vetëm në sistemin e drejtësisë penale, gjykatat duhet të jenë në një linjë me qëndrimin e vendosur të ligjvënësit kundër dhunës dhe të ofrojnë një reagim të fuqishëm, duke përfshirë edhe ndëshkimet. Kjo do të nxiste raportimin e mëtejshëm të rasteve të dhunës në familje.

Ndonëse ka një përmirësim të qartë në respektimin e afateve të gjykimit të kërkesave për lëshimin e urdhëra të mbrojtjes, ende shtyhen në mënyrë të panevojshme seancat gjyqësore për vërtetimin dhe lëshimin e tyre. Shpejtësia dhe respektimi i afateve, përbën një element thelbësor të gjykimit për urdhrat e mbrojtjes, mosrespektimi i të cilave sjell humbjen e kuptimit të ligjit kundër dhunës në familje dhe mund të vërë në rrezik viktimat.

Në këto kushte, kërkoj nga ana juaj të merrni masat e nevojshme për zbatimin rigoroz të dispozitave të Kodit Penal mbi dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb