Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka uruar homologun e tij të ri të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Në letrën e urimit, Ruçi shkruan se Kosova ndodhet para sfidash të mëdha e të vështira, por që shprehet i bindur se me lidershipin vizionar të Konjufcës do i zgjidhë me sukses detyrat themelore.

Ai kërkon intensifikim të bashkëpunimit mes dy Kuvendeve në të ardhmen.

 

LETRA NGA GRAMOZ RUÇI

Me rastin e zgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju uroj nga zemra suksese në detyrën Tuaj të lartë dhe fisnike.
Kosova ndodhet sot para sfidash të mëdha e të vështira, përballimi i të cilave është plotësisht i mundur me përkushtimin e institucioneve të reja të Republikës dhe partneritetin e ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Nën lidershipin Tuaj vizionar, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses detyrat themelore të zhvillimit, përparimit dhe integrimit euro-atlantik dhe rritjes së rolit e kontributit të Republikës së Kosovës si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë.
Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se bashkëpunimi midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të zgjerohet e intensifikohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb