Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh me rastin e 18 dhjetorit, ditës ndërkombëtare të emigrantëve. Ai deklaron se Dita ndërkombëtare e emigrantëve është një moment reflektimi për historinë dhe akualitetin e emigracionit shqiptar, për diasporën e hershme dhe të re të Shqipërisë”.

“Diaspora e hershme ishte një promotore e zgjimit, rilindjes dhe forcimit të vetëdijes kombëtare e pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës punëtorëve të mendjes, të penës dhe luftëtarëve e patriotëve të diasporës që e prezantuan dhe mbrojtën pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë në kancelaritë perëndimore”, shprehet Kreu i Kuvendit.

Sipas tij, diaspora e re është një faktor i fuqishëm i mbështetjes së zhvillimit ekonomik, shoqëror, politik e kulturor të vendit. Emigrantët shqiptarë janë sot qytetarë europianë dhe perëndimorë; një urë e rëndësishme e bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet ku ata jetojnë; një faktor emancipimi dhe kulture; kontribues dhe sponsor në sistemin e mirëqenies në vendet ku jetojnë dhe për familjet dhe atdheun e tyre.

“Unë jam krenar që Kuvendi i Shqipërisë gjatë kësaj legjislature hapi rrugën për mundësine e votës së emigrantëve nga vendet ku jetojnë”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb