Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, shprehu sot trishtimin e tij për ndarjen nga jeta të piktorit, arkitektit e shkrimtarit Maks Velo.

“Maks Velo, ishte artist, arkitekt, piktor, shkrimtar dhe publicist i shquar. Arti i Maks Velos është përkthimi në pikturë i primitivizmit, modernizmit, pesimizmit dhe tragjizmit të jetës shoqërore. Ikja e tij është një humbje e madhe për kulturën shqiptare. Maks Velo ishte një pasionant i lirisë, mbrojtës i të vërtetës dhe luftëtar i së drejtës.

Maksi zhvilloi shumë beteja në jetë dhe të gjitha i fitoi me artin, erudicionin, pasionin, qëndresën dhe stoicizmin e tij. Ikja e tij është e vetmja, e para dhe e fundit betejë që Maksi humbi. Por Maks Velo jeton e do të jetojë në arkitekturën moderne shqiptare, në pikturat moderne, vibrante e melodioze që ai na la me trashëgiminë e tij.”- tha Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb