Është mbajtur sot në Tiranë Konferenca Shkencore kushtuar 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në fjalën e tij në këtë konferencë iu shprehu mirënjohje të gjithë parlamentarëve për kontributin në zhvillimin, përparimin e demokratizimin e Shqipërisë. Duke iu referuar Kongresit të Lushnjës në këtë 100-vjetor ai theksoi se këta burra në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar.

“Në përfundim të Luftës së Parë Botëtore, tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane, vendosën të ricoptonin Shqipërinë. Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të vështira të ekzistencës së tij. Kishte ardhur ora e rizgjimit, e mobilizimit të energjive për shpëtim kombëtar. Kësaj thirrjeje iu përgjegj pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat prijës atdhetarë.
Këta burra, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morrën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar.
Ata përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive evropiane dhe ShBA mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. Por ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për coptimin e Shqipërisë”, deklaroi Ruçi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai tha më tej, se Parlamentarizmi shqiptar ka një histori tashmë shekullore. “Këtë histori mund ta periodizojmë në disa etapa: Themelimi i parlamentarizimit shqiptar nga Kongresi i Lushnjes; Veprimtaria parlamentare pluraliste e viteve 1920-1924; Veprimtaria parlamentare formale gjatë viteve 1925-1939, e cila shërbeu si notere që çertifikonte vendimet e projektligjet e paravendosura të regjimit; Trupat e ashtuquajtura të zgjedhura kolaboracioniste gjatë periudhës 1939-1944, të cilat u vunë hapur në shërbim të pushtuesve Parlamentarizmi komunist, i cili u krijua dhe përfundoi si një institucion fasadë i regjimit, për të ruajtur të ashtuquajturin legjitimitet të tij; Jeta parlamentare pluraliste demokratike pas vitit 1990. Ndryshimet demokratike që nisën në dhjetor 1990 hapën një kapitull të ri edhe për parlamentarizmin shqiptar”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Ruçi tha se parlamentet e gati 30 viteve të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, të shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Meritë e veçantë e parlamentarizmit të këtyre viteve janë hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, korpusi i ligjeve shqiptare të harmonizuara në frymë e në përmbajtje me legjislacionin evropian e sidomos diskutimi dhe aprovimi vitet e fundit i paketës ligjore për reformën në drejtësi.
Në këtë 100-vjetor të parlamentarizmit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të sotëm të Shqipërisë për veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë parlamentarëve shqiptarë në zhvillimin, përparimin e demokratizimin e Shqipërisë”, u shpreh kryeparlamentari Ruçi.

Aitheksoi se Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të punojë me përkushtim për të afruar sa më shpejtë të jetë e mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Një detyrë tepër të rëndësishme ka Kuvendi ynë gjatë vitit që sapo nisi. Shqipëria sapo ka marrë Kryesinë e rradhës të OSBE për vitin 2020. Kjo përgjegjësi është një nder, por edhe një sfidë e madhe”, nënvizoi në përshëndetjen e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Në këtë veprimtari, morën pjesë ish-drejtues të Kuvendit, të grupeve parlamentare dhe të qeverive të Shqipërisë, deputetë dhe ish-deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtues e përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të qeverisjes vendore dhe institucioneve kushtetuese, akademikë e historianë nga Shqipëria, Kosova e ShBA, përfaqësues të medias etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb