Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut, z. Dancho Markovski, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Pasi i uroi Ambasadorit Markovski suksese në detyrën e tij të re, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vuri në dukje se “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira dhe dëshmi e këtij fakti është shkëmbimi në mënyrë periodike i vizitave në nivel të lartë. Angazhimi i dy vendeve ndaj vlerave europiane dhe euroatlantike, respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive për të gjithë, përfshirë pakicat, si dhe ndaj zbatimit të standarteve ndërkombëtare në zhvillimin e marrëdhënieve midis shteteve të lira dhe sovrane, i ka dhënë bashkëpunimit midis vendeve tona qëndrueshmëri e perspektive afatgjatë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë sot partnerë në NATO dhe në besimin, vendosmërinë dhe durimin drejt Bashkimit Europian. Ne duhet të fuqizojmë bashkëpunimin dhe të bashkojmë forcat për të emacipuar veten dhe rajonin në rrugëtimin drejt familjes europiane.”.

Ambasadori Markovski vuri në dukje se do të punojë që bashkëpunimi politik dhe në procesin e integrimit europian të rritet si edhe që marrëdheniet ekonomike e tregëtare midis të dy vendeve të ngrihen në nivelin e bashkëpunimit politik.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Ambasadori z. Dancho Markovski, biseduan edhe mbi aspekte të bashkëpunimit parlamentar dhe të diplomacisë parlamentare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: