Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti duke i shprehur mbështetjen e Shqipërisë për dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE.

Ruçi thotë se dialogu Kosovë- Serbi duhet të ketë si rezultat të marrëveshjes, njohjen e ndërsjelltë reciproke.

  • foto galeri
  • foto galeri

Më tej, kryeparlamentari thotë se Kosova për dialogun duhet të koordinohet me SHBA dhe BE.

NJOFTIMI NGA KUVENDI

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Avdullah Hoti: Të vazhdojë dialogu me Serbinë, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, ShBA dhe BE

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Avdullah Hoti, dhe delegacionin qeveritar, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Kosovës janë vëllazërore dhe të shkëlqyera. Bashkëpunimi midis dy vendeve është strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euro-atlantike. Shqipëria po konkretizon partneritetin strategjik e gjithëpërfshirës me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal.
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vlerësoi programin e ri të Qeverisë së Kosovës dhe nënvizoi nevojën e marrjes së përgjegjësive për të çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr kështu çdo pengesë për rinisur dialogun Kosovë – Serbi. “Shqipëria mbështet fuqishëm Dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Është shumë i rëndësishëm arritja e një konsensusi të brendshëm përsa i takon qëndrimit ndaj Dialogut. Mendojmë se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, në funksion të forcimit të pozitave negociuese të Kosovës me Bashkimin Europian. Duhet të kemi e të tregojmë besim ndaj partnerëve strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.”, theksoi z. Gramoz Ruçi.
Kryeministri Avdullah Hoti, duke falenderuar Kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, vuri në dukje se “Qeveria e Kosovës do të thellojë e zgjerojë bashkëpunimin me Shqipërinë, duke synuar konkretizimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy qeverive. Koha kërkon prej nesh qëndrime të matura e me qetësi, prandaj ne do të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe po përgatitemi seriozisht për Samitin e Parisit.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb