Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë dhe Mjedisit të Bisnesit të Rumanisë, Liviu Rogojinaru, dhe delegacionin që e shoqëronte.

Në takim mori pjesë edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, si edhe Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Mircea Perpelea.

Ruçi shprehu mirënjohjen për ndihmën e menjëhershme që Qeveria rumune i ofroi Shqipërisë pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku qeveria rumune ishte nga të parat që dërgoi ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe ekspertë të verifikimit të dëmeve në ndërtesa.

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rumanisë janë shumë të mira, të mbështetura edhe në lidhjet historike midis dy popujve, por nevojitet progres i mëtejshëm, me hapa praktikë për avancimin e marrëdhënieve politike në nivele të larta si edhe të bashkëpunimit ekonomik e të tregjeve. Rumania është gjithashtu një pikë referimi për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe ne po mësojmë nga përvoja e saj. Ne shprehim kënaqësinë që Rumania, si vend anëtar i BE, dhe Shqipëria, si vend kandidat në BE, konsiderojnë si thelbësore për rajonin integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vuri në dukje se “Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Rumanisë duhet dhe mund të thellohet e zgjerohet në shumë aspekte, por me prioritet duhet të rrisim bashkëpunimin në sektorin e turizmit, transportit dhe energjisë, të cilat janë sektorë të rëndësishëm për të dy ekonomitë tona”.

Sekretari i Shtetit, Liviu Rogojinaru, theksoi se Rumania e konsideron Shqipërinë një partner të rëndësishëm dhe do të vazhdojë të ndihmojë integrimin e saj europian. “Ju duhet të mësoni nga përvoja si edhe nga gabimet tona, në mënyrë që të ecni më shpejt drejt BE-së. Gjithashtu, ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik e tregtar, në kuadrin edhe të masave të Qeverisë së Rumanisë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis vendevetë Ballkanit”, theksoi Sekretari i Shtetit Rogojinaru.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb