Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua këtë të hënë me Ambasadoren e Holandës, znj. Guusje Korthals Altes, me rastin e përfundimit të misionit të saj në Shqipëri.

Ruçi vlerësoi kontributin e Ambasadores Altes në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në mënyrë të veçantë kontributin për informimin e Parlamentit dhe Qeverisë dhe të Holandës mbi arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj Europian.

“Shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për qëndrimin inkurajues të Parlamentit holandez për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë si edhe për rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri.

Marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe janë pasqyruar edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Për të tretin vit radhazi, Holanda është investitori më i madh në Shqipëri dhe ne kemi besim se ky bashkëpunim do të vijë duke u zgjeruar e forcuar.”, theksoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ambasadorja Guusje Korthals Altes falenderoi Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për vlerësimin e punës së saj si edhe të bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe nënvizoi se Vendet e Ulëta do të vazhdojnë të mbështesin integrimin Europian të Shqipërisë, konsolidimin në vendin tonë të vlerave Europiane, mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb