Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian të mbajtur në Talini të Estonisë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, zhvilloi një takim me Kryetaren e Parlamentit të Serbisë Maja Gojkovic.

Gjatë takimit me Gojkovic u vlerësuan hapat e ndërmarra në vitet e fundit ndërmjet dy vendeve për intensifikimin e marrëdhënieve politike-ekonomike-tregtare.

Ruçi u shpreh gjatë takimit se Bashkëpunimi rajonal drejt Integrimit Evropian është që proces transformues pozitiv për të gjithë vendet.

“Rekomandimi i pakushtëzuar pozitiv për hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe bisedimet e intensifikuara me Malin e Zi dhe Serbinë, janë një njohje e meritave të këtyre vendeve në fushën e betejave të vështira për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Strategjia e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor ka qenë një proces transformimi për të. Sot ky është një rajon që i kushtohet tërësisht projektit evropian”, tha Kryetari i Kuvendit.

Pikë e bisedimeve gjatë takimit ishin edhe çështjet e dialogut Kosovë-Serbi si edhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përsa i përket dialogu, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u shpreh i vendosur se Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimit Evropian e cila do të mundësoj gjetjen e zgjedhjeve të përbashkëta për disa çështje të rëndësishme për të mirën e qytetareve të dy shteteve.

Ndërsa për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Ruçi tha se qeveria shqiptare e sheh me shumë interes të veçantë situatën e shqiptarëve që jetojnë në Serbinë Jugore në mënyrë që atyre tu mundësohen të drejtat e plota si përfshirja në jetën socio-ekonomike të vendit etj.

“Ne presim vëmendje më të madhe nga qeveria serbe për pajisjen e nxënësve të Luginës me tekstet e gjuhës shqipe e cila është një detyrim ligjor dhe kushtetues, por gjithashtu një detyrim që rrjedh nga konventat ndërkombëtare pjesë e të cilave është Serbia. Jemi të gatshëm në çdo moment për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje përmes zhvillimit të takimeve të nivelit të ekspertëve ndërmjet dy Ministrive të Arsimit”,- u shpreh Ruçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb