Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti në një takim kreun e ri të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, me rastin e fillimit të misionit të tij në Shqipëri.

Ruçi e uroi Del Monacon për detyrën e re në Shqipëri dhe vuri në dukje se Kuvendi i Shqipërisë ka një bashkëpunim shumë të mirë me Prezencën e OSBE-së në Tiranë, e cila është një partner i besueshëm për Shqipërinë.

“Shqipëria vlerëson punën e Prezencës së OSBE në Shqipëri. Prezenca ka bërë një punë të mirë ndër vite në mbështetje të reformave gjithëpërfshirëse të Shqipërisë dhe të axhendës për modernizimin e shoqërisë shqiptare, në përputhje me nevojat e përparësitë e vendit. Ne vlerësojmë në veçanti kontributin e OSBE dhe të Prezencës në Tiranë në zbatimin e reformave në fushat kyçe, siç janë forcimi i demokracisë dhe institucioneve ligjzbatuese, reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, e cila është aktualisht kryereforma jonë, si edhe reformat integruese, në bashkëpunim të ngushtë edhe me BE dhe partnerët ndërkombëtarë. Për reformën zgjedhore arritëm konsensusin më të mirë të mundshëm dhe tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon normalisht punën.”, -theksoi Ruçi.

  • foto galeri
  • foto galeri

Del Monaco falenderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për vlerësimet e larta për punën e OSBE-së dhe të Prezencës së saj në Tiranë. “Unë jam i vendosur të vazhdoj bashkëpunimin shumë të mirë me Kuvendin dhe institucionet e tjera shqiptare për çuarjen më tej të arritjeve të deritanishme si edhe ndërtimin dhe forcimin e besimit te ky bashkëpunim, i cili po fuqizohet në mënyrë krijuese.”, pohoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb