Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, priti dje Ambasadorin e Norvegjisë, në Shqipëri dhe Kosovë, rezident në Prishtinë, z. Per Strand Sjaastad, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Tiranë dhe Prishtinë.

Kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen teknike dhe asistencën financiare që Norvegjia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen politike e financiare të Norvegjisë për njohjet ndërkombëtare dhe zhvillimin e Kosovës dhe për angazhimin e kontributin për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. “Shqipëria e vlerëson lart bashkëpunimin me Norvegjinë edhe në kuadrin e NATO-s dhe vlerëson e mirëpret rritjen e kontributit të saj për mbështetjen dhe fuqizimin e rolit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.”, theksoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi kontributin e kompanive të mirënjohura norvegjeze në fushën e energjisë në Shqipëri dhe shprehu gadishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar bashkëpunimin me Norvegjinë në fushat me interes të ndërsjelltë, bashkëpunimin rajonal, çështjet e sigurisë e migracionit; forcimin e lidhjeve ekonomike, turizmit. Shqipëria është bërë destinacion i mjaft turistëve norvegjeze. Numri i tyre gati është dyfishuar krahasuar me 2010  dhe vendimi për të filluar fluturimet e drejtpërdrejta Oslo-Tiranë pritet të rrisë edhe më shumë numrin e turistëve norvegjezë në Shqipëri.

Ambasadori Per Strand Sjaastad vlerësoi lart arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit si edhe klimën mjaft pozitive për bizneset norvegjeze në Shqipëri, të cilat do të vijnë duke u shtuar. “Norvegjia do të jetë një partner afatgjatë dhe i qëndrueshëm i Shqipërisë dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si edhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në të mirë të një zgjdhjeje të qëndrueshme, në dobi të të dy venddeve dhe rajonit.”, vuri në dukje Ambasadori

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb