TIRANE- Pas seancës maratonë në Parlament, ku është diskutuar e më pas miratuar me 78 vota pro dhe 51 kundër programi i ri qeverisës, Qeveria “Rama 2” do të betohet sot në orën 17:00 para Presidentit Ilir Meta. Ky moment shënon zyrtarisht dhe përfundimin e procedurave ligjore dhe nisjen zyrtarisht nga puna të saj.

E fill pas betimit, kryeministri Rama do të zhvilloje mbledhjen e parë zyrtare të qeverisë, me ministrat e rinj.

Miratimi i qeverisë dhe programit të saj në Kuvend u bë mëngjesin e sotëm pas një seance maratonë që nisi të martën në orën 09:00. Në diskutimet dhe debatet mbi qeverinë pothuajse folën të gjithë deputetët, ndërsa opozita (PD dhe LSI) u shprehën kundër.

Pas miratimit të programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka thirrur në një mbledhje në orën 18:00 krerët e grupeve parlamentare.

Mësohet se në këtë takim që do zhvillohet në kryesinë e Kuvendit, krerët e grupeve do vendosin për seancën e radhës. Do të jetë pikërisht kjo seancë, në të cilën do të vendoset për ngritjen e komisioneve parlamentare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: