Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit dhe mbylljen e muajit të Ramazanit. Ruçi shprehet në mesazhin e tij se Fiter Bajrami është ditë e kurorëzimit të agjërimit, në të njëjtën kohë festivali i besimit, dashurisë, shpresës dhe humanizmit.

Ai shpreh mirënjohjen e tij dhe të Kuvendit të Shqipërisë për komunitetin mysliman dhe kontributin e institucioneve fetare për të motivuar besimtarët dhe të gjithë qytetarët të përballojnē me stoicizëm pasojat dhe rregullat mbrojtëse nga koronavirusi dhe të mbrojnë shenjtërinë e jetëve njerëzore.

MESAZHI I PLOTË I RUÇIT
“Fiter-Bajrami, kjo ditë e kurorëzimit të agjërimit, është në të njëjtën kohë festivali i besimit, dashurisë, shpresës dhe humanizmit.
Muaji i Ramazanit që sapo u mbyll ishte një sakrificë fisnike brenda një dhimbjeje të madhe e të heshtur njerëzore e globale, të shkaktuar nga rreziku i koronavirusit.

Pandemia i pengoi besimtarët myslimanë të ushtronin ritet fetare mijëravjeçare dhe t’u bashkoheshin familjarëve, të afërme e miqve në shtëpi, xhamitë e qendrat komunitare, për t’u lutur, ndihmuar, dhuruar dhe admiruar njeri-tjetrin, për të kremtuar bashkarisht iftaret, namazet, festimet dhe çastet e gëzuara me të dashurit.

Por myslimanët, ashtu si të gjithë shqiptarët, besimtarë apo jo besimtarë, rezistuan dhe po fitojnë.

Besimtarët i ushtruan ritet, agjëruan, gëzuan, shpresuan brenda vatrave të tyre familjare. Ata provuan se besimi, dashuria e shpresa, dhe jo frika e ftohtësi janë vlerat që i udhëheqin në jetë.

Ky është Fiter-Bajrami i parë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe na gjen në nisje të daljes nga pandemia e koronavirusit.

Prandaj një mesazh solidariteti e dashurie kam për të gjithë besimtarët që nga koronavirusi humbën të dashurit e tyre dhe nga tërmeti humbën shtëpitë.

Të prekurve nga COVID-19 u uroj shërim të shpejtë dhe të dëmtuarve nga tërmeti u uroj të kthehen sa më shpejt dhe të lumtur në shtëpitë e tyre të reja, për të cilat nxis Qeverinë të përshpejtojë Programin e Rindërtimit.

Me këtë rast shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për komunitetin mysliman dhe kontributin e institucioneve fetare për të motivuar besimtarët dhe të gjithë qytetarët të përballojnē me stoicizëm pasojat dhe rregullat mbrojtëse nga koronavirusi dhe të mbrojnë shenjtërinë e jetëve njerëzore.

Shëndet, paqe e lumturi në familjet e të gjithë shqiptarëve!

Uroj që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar dhe shumë shpejt të kthehemi të gjithë në jetën normale dhe gëzimet e saj!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij të urimit me rastin e Festë së Fiter-Bajramit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb