Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, z. Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Sovranitetit të Malit të Zi.

“Me rastin e 13 korrikut, 142-vjetorit të Ditës së Sovranitetit të Malit të Zi, Ju dërgoj urimet e mia më të ngrohta. Njohja e Malit të Zi si shteti i 27-të i pavarur i botës më 1878, ishte një arritje e madhe popullit malazez dhe çeli rrugën e sovranitetit dhe konsolidimit të shtetit të ri, të zhvillimit dhe mirëqenies së popullit malazez.

Republika e Malit të Zi është sot një vend fqinj, mik dhe partner i ngushtë i Shqipërisë. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi dypalësh janë shumë të mira dhe po zgjerohen e forcohen dita-ditës.

Aktualisht. Shqipëria dhe Mali i Zi janë në procesin e negociatave të pranimit me Bashkimin Europian. Të dy vendet tona janë në rrugën e drejtë të përpjekjeve për t’u pranuar në familjen europiane. Përparimi i vendeve tona në rrugëtimin europian është një kontribut edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe një tregues se rajoni ynë është pjesë integrale e qytetërimit europian dhe një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian.

Shpreh gjithashtu bindjen se bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Malit të Zi do të rifillojë së shpejti dhe më lejoni të përsëris ftesën time dhe t’Ju ftoj për një vizitë në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Ju.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në letrën e urimit drejtuar Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, z. Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Sovranitetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb