Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i dërgoi sot një letër urimi Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare Turqisë, Mustafa Şentop, me rastin e rizgjedhjes. Ruçi i uroi Turqisë avancim drejt zhvillimit e demokracisë.

“Me rastin e rizgjedhjes Tuaj në detyrën e lartë të Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, në emrin e Kuvendit të Shqipërisë si edhe në emrin tim personal, Ju uroj suksese në plotësimin me sukses të misionit Tuaj, për zhvillimin dhe përparimin e Turqisë, konsolidimin e jetës parlamentare dhe institucioneve të tjera demokratike.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson arritjet e Turqisë mike dhe me këtë rast urojmë avancim të mëtejshëm në rrugën e zhvillimit e demokratizimit si edhe rritjen e kontributit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë. Shpreh bindjen se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë do të rifillojë shumë shpejt dhe do të zgjerohet e fuqizohet.
Kam kënaqësinë që pas fitores së betejës së vendeve tona kundër pandemisë, t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Shkëlqesinë Tuaj.”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: