Me rastin e Ditës së Çlirimit të Bullgarisë, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetares së Asamblesë Kombëtare, znj. Tsveta Valchieva Karayancheva.

Ruçi shkruan në letrën e tij se marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë shumë të mira, të qëndrueshme dhe po zgjerohen e forcohen, duke u mbështetur në traditën shekullore të lidhjeve miqësore midis të dy popujve tanë si edhe në mikpritjen dhe mbështetjen e Bullgarisë për diasporën dhe patriotët shqiptarë dhe kontributin e tyre për pavarësinë dhe çështjen kombëtare shqiptare.

“Me rastin e Ditës së Çlirimit të Bullgarisë, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe emrin tim personal, Ju dërgoj përshendetjet më të përzemërta. Çlirimi dhe shkëputja e Bullgarisë prej Perandorisë Otomane, 143 vjet më parë, është një ngjarje e shënuar historike, e cila hapi rrugën për të ardhmen e Bullgarisë si një shtet i pavarur dhe zhvillimin e mirëqenien e popullit bullgar.
Bullgaria është sot anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s si edhe një vend mik e partner i Shqipërisë.
Vitin që vjen mbushet një shekull i marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve tona. Marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë shumë të mira, të qëndrueshme dhe po zgjerohen e forcohen, duke u mbështetur në traditën shekullore të lidhjeve miqësore midis të dy popujve tanë si edhe në mikpritjen dhe mbështetjen e Bullgarisë për diasporën dhe patriotët shqiptarë dhe kontributin e tyre për pavarësinë dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Gjej rastin t’Ju shpreh mirënjohjen e thellë Juve dhe Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Mbështetja e Bullgarisë dhe Juaja personalisht ka qenë një inkurajim i madh për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkimit Europian në daten 25 mars 2020 për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, është edhe rezultat i mbështetjes së Bullgarisë. Këtë mbështetje populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë. Shqipëria i është mirënjohëse Bullgarisë edhe për njohjen e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen për rritjen e rolit të saj në organizatat dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: