Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi kryeparlamentares norvegjeze, Tone Wilhelmsen Trøen, për Ditën e Kushtetutës.

“Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Mbretërisë së Norvegjisë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta.
Hartimi 207 vjet më parë, më 17 maj 1814, në Eidsvoll, i Kushtetutës që e deklaroi Norvegjinë një mbretëri më vete, ishte një ngjarje e rëndësishme në historinë e kombit dhe të popullit norvegjez. Gjatë këtyre dy shekujve pas pavarësisë, Norvegjia ka shënuar arritje të pakrahasueshme në zhvillimin ekonomik dhe politik dhe është bërë sot një nga vendet më të zhvilluara, me nivel shumë të lartë të mirëqenies, një model për të gjitha vendet për kontributin e saj në zhvillimin dhe paqen.

Norvegjia është sot një vend mik i Shqipërisë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira. Norvegjia është anëtare themeluese e NATO-s dhe bashkëpunimi ynë në gjirin e Aleancës është shumë i mirë. Bashkëpunimi në planin politik po konkretizohet në bashkëpunimin ekonomik, në bujqësi, turizëm, infrastrukturë, tregëti dhe arsim etj. Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve tona mund të zgjerohet, duke marrë parasysh faktin se hidroenergjetika dhe ekonomia e detit janë dy sektorë prioritarë dhe me mjaft potencial të këtij bashkëpunimi.

Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën e çmuar që Norvegjia i dha Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 si edhe të pandemisë së Covid 19. Shpreh bindjen se bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Storting të Norvegjisë do të vijë duke u zgjeruar.”, shkruan në letrën e urimit Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb