Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Tadamori Oshima, me rastin e Festës Kombëtare.

“Me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Themelimit të Japonisë, Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personale. Kremtimi i kësaj date të shënuar të themelimit dhe historisë së kombit japonez është një rast për të ridëshmuar dashurinë dhe përkushtimin për kombin dhe të ardhmen e tij.
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë janë shumë të mira dhe dhe vitin që vjen marrëdhëniet tona dypalëshe mbushin një shekull.

Gjej rastin të shpreh mirënjohjen për ndihmën e dhënë gjatë këtyre viteve nga Japonia, e cila është një nga vendet donatore më të rëndësishëm për Shqipërinë, duke dhënë rreth 400 milion USD mbështetje financiare në formë grantesh, asistencë për bashkëpunim ekonomik, kredi të buta në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, mjedis, energjetikë etj. 15 marrëveshje janë nënshkruar mes dy vendeve, ndërkohë që disa të tjera janë në proces.

Dëshiroj, gjithashtu, të vlerësoj rritjen e interesit gjeopolitik të Japonisë për rajonin, nëpërmjet Iniciativës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, e cila krijon mundësi të reja bashkëpunimi me Shqipërinë dhe vendet e rajonit.”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: