Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Presidentit të Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén, me rastin e 6 qershorit, Festës Kombëtare të Suedisë.

Në urimin e tij, Ruçi i shpreh Norlen mirënjohje për mbështetjen për çeljen e negociatave. Ai shprehet se Republika e Shqipërisë dhe Mbretëria e Suedisë kanë marrëdhenie shumë të mira dhe se shpreson që bashkëpunimi midis dy vendeve tona të njohë zhvillime të reja në të ardhmen.

“Me rastin e 6 Qershorit, Ditës Kombëtare të Mbretërisë së Suedisë, Ju dërgoj urimet më të mira për popullin e Suedisë, Parlamentin dhe Ju personalisht.

Dita Kombëtare e Suedisë, e cila kremton themelimin e Suedisë moderne rreth 500 vjet më parë, më 6 qershor 1523, është një ngjarje e madhe historike për kombin, sistemin demokratik, emancipimin politik e shoqëror të Suedisë si edhe mirëqenien e popullit suedez.

Republika e Shqipërisë dhe Mbretëria e Suedisë kanë marrëdhenie shumë të mira dhe unë shpresoj që bashkëpunimi midis dy vendeve tona të njohë zhvillime të reja në të ardhmen.

Përfitoj nga ky rast për të shprehur mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për qëndrimin e Suedisë pro vendimit të Këshillit Europian për çeljen e ngociatave me Shqipërinë më 25 mars të këtij viti. Siç edhe biseduam gjatë takimit tonë në prill të vitit 2019 në Vienë, arritjet e Shqipërisë në avancimin e reformave integruese, janë investime për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë muajve të fundit Suedia, ashtu si edhe Shqipëria dhe gjithë njerëzimi, vuajti pasojat e pandemisë. Për fat të mirë, vendet tona po dalin nga situata e pandemisë dhe këtë shpresojmë edhe për vendet e tjera, duke uruar që njerëzimi t’i kthehet gradualisht normalitetit.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Suedisë do të rifillojë shumë shpejt dhe përfitoj nga ky rast për t’Ju ftuar për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në letrën e tij të urimit drejtuar Presidentit të Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén, me rastin e Festës Kombëtare të Suedisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb