Me rastin e Festës Kombëtare, 102-vjetorit të Ditës së Bashkimit të Madh-Ziua Marii Uniri, të Rumanisë, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Dhomës së Deputetëve, z. Marcel Ciolacu.

“Deklarata e Bashkimit të Rumanisë, e shpallur në Alba Lulia, më 1 dhjetor 1918, është një ngjarje e shënuar në historinë e popullit mik rumun, e cila i hapi rrugë zhvillimit dhe prosperitetit të Rumanisë, si një komb e shtet modern.

Rumania është është sot një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s, mik dhe partner i ngushtë i Shqipërisë. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ynë dypalësh janë aktualisht në momentin e tyre me të mirë dhe po zgjerohen e forcohen dita-ditës.

Shqipëria i është mirënjohëse Rumanisë për mbështetjen e vazhdueshme të rrugëtimit tonë europian, e cila u kurorëzua me vendimin e Këshillit Eurooian të çeljes së negociatave në mars të këtij viti.

Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkimit Europian në datën 25 mars 2020 për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, i bazuar në progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli, është rezultat edhe i kontributit të Parlamentit dhe Qeverisë së Rumanisë, për të cilën populli shqiptar ju është shumë mirënjohës.

Ne ndjekim me vëmendje përpjekjet e popullit dhe të institucioneve të Rumanisë për përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19 dhe urojmë e shpresojmë që popujt tanë dhe të gjithë kombet e planetit të dalin sa më shpejt dhe me pasoja sa më të lehta prej saj.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: