Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë dhe qytetarëve shqiptarë me një mesazh me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Ai thekson se me ndihmën e besimit, jeta e lumturia do të triumfojnë mbi pandeminë.

“Sot është festa e Kurban Bajramit. Besimtarëve myslimanë, në Shqipëri dhe në Diasporë, u uroj Gëzuar festën e bukur të Kurban Bajramit. Gëzimi i festës i gjen Shqipërinë dhe shqiptarët, ashtu si gjithë besimtarët myslimanë, nën ankthin e rrezikut të pandemisë së koronavirusit. Por unë, ashtu si të gjithë ju, vëllezër besimtarë dhe qytetarë shqiptarë, kudo ku jetoni, jam i bindur se, me përpjekjet e kujdesin tuaj dhe me ndihmën e besimit, gëzimi do ta mundë dëshpërimin; shpresa do ta mposhtë frikën; drita do të ndriçojë mbi errësirën; qartësia do të shpërndajë mjegullat e sëmundjeve dhe trishtimit; ëmbëlsia e festës do të shijojë përmbi hidhërimin që shkakton pandemia; e mira do të përzërë të keqen nga jeta dhe vatrat familjare të çdo besimtari e shqiptari; lumturia do të tresë dhimbjen, dyert e shkollave e universiteteve do të rihapen dhe do të mbushen me zërat gazmorë të nxënësve e studentëve; prindërit do të çlirohen nga meraku njerëzor për fëmijët, të moshuarit do të rikthehen në jetën e tyre të qetë; bizneset do të kthehen në prodhimin dhe shërbimet me kapacitetet e tyre të plota; përqafimi do t’i zejë vendin distancës e veçimit; gjallëria do të zëvendësojë pezmatimin dhe jeta do të triumfojë mbi rrezikun pandemik. Gjej rastin të shprehë mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për besimtarët myslimanë dhe të gjitha komunitetet fetare për solidaritetin dhe humanizmin që treguan e po tregojnë gjatë pandemisë.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb