Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka uruar sot shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare, me rastin e 85 vjetorit të lindjes. Ruçi e cilëson Kadarenë ndër stolitë më të bukura të kulturës shqiptare, europiane e botërore.

Ruçi shprehet në mesazhin e tij se prej Olimpit të letrave shqiptare e botërore, Ismail Kadare ka ndriçuar historinë, ka vlerësuar të sotmen dhe ka projektuar perspektivën europiane e perëndimore të shqiptarëve.

“Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, Ju uroj jetë të gjatë dhe vijimin e krijimtarisë dhe veprës tuaj, e cila është një ndër margaritarët më të çmuar të letërsisë dhe kulturës shqiptare e botërore, si edhe të kontributit intelektual në Shqipëri, Europë dhe në të gjithë globin.
Në veprën dhe persionalitetin e Ismail Kadaresë bashkohen si rrallë herë krijimtaria e pasur dhe unikale letrare me përmasa planetare, vizioni e kontributi intelektual për Shqipërinë dhe qytetërimin bashkëkohor, studimet e thella akademike, vlerat dhe identiteti europian e perëndimor dhe referencat ndaj veprës së tij, si një ndër stolitë më të bukura të kulturës shqiptare, europiane e botërore.
Prej Olimpit të letrave shqiptare e botërore, Ismail Kadare ka ndriçuar historinë, ka vlerësuar të sotmen dhe ka projektuar perspektivën europiane e perëndimore të shqiptarëve.
Letërsia, kultura dhe qytetërimi shqiptar janë sot të njohur sepse në to është skalitur emri Ismail Kadare.
Ne, shqiptarët, ndjehemi të gjithë krenarë që jemi bashkëkombësit, bashkëkohësit dhe lexuesit e adhuruesit e parë të veprës së Ismail Kadaresë.”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb