Ish-deputetja demokrate, Rudina Hajdari, ka qenë sot e pranishme në tryezën e organizuar nga kreu i PD, Sali Berisha, me temë “Të rikthejmë Shqipërinë në rrugën europiane”.

Në fjalën e saj, Hajdari hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se e ka mbushur Parlamentin me kriminelë e trafikantë droge, ndërsa theksoi se “Ballkani i Hapur” është një nismë e rrezikshme në të gjitha nivelet.

Mes të tjerash, ajo “thumboi” dhe ish-kryedemokratin Lulzim Basha, teksa u shpreh se djegia e mandateve ishte një gabim historik për Shqipërinë dhe që minonte rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian.

“Braktisja e parlamentit jo ishte vetëm një gabim historik për Shqipërinë, por minonte rrugëtimin tonë drejt BE. E rëndësishme gjatë atij rrugëtimi ishte që unë t’i qëndroja asaj që ne si demokratë i kemi qëndruar prej 1990, ku kemi nisur rrugëtimin si parti duke thirrur që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Ky është një mision solemn jo vetëm i PD, por i gjithë shqiptarëve. Ama ne nuk duhet të harrojmë disa gjëra shumë të rëndësishme.

U futën kriminelë në Parlament, u futën trafikantë droge në Parlament, si deputetë, pra u rrit korrupsioni në mënyrë galopante. Kemi kaluar nga një vend, që hapi rrugët për BE, pas 2013 në një vend që ka shpërndarë krimin e organizuar në cdo cep të Shqipërisë, ku fëmijët tanë nuk ndihen të sigurt, e ardhmja jonë nuk ndihet e sigurt dhe kemi një Shqipëri të shpopulluar. Qeverisja e Edi Ramës ka bërë vetëm hapa pas, duke futur kriminelë në Parlament, duke shpërndarë drogë, duke futur Shqipërinë në hartën e zezë të trafikut.

Kam qenë aty, në Holandë, Danimarkë, Gjermani, duke qenë okulare e bisedimeve që bëheshin për këto tema dhe ishte e pamundur të mbroja vendin tonë përballë këtij realiteti. Dhe ai sot shkon dhe më tutje, kërkon të zëvendësojë proceset integruese të BE me një proces tjetër të rrezikshëm në të gjitha nivelet, pra “Ballkanin e Hapur”. Nëse ne nuk çohemi përballë këtij realiteti, atëherë kemi dështuar si opozitë, si PD, që ka mision të qëndrojë në procesin e integrimit, por ne do dështojmë dhe si ekonomi shqiptare”, u shpreh Hajdari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb