Presidenti iranian Hassan Ruhani tha të martën se vendi i tij nuk do të zhvillojë bisedime dypalëshe me Shtetet e Bashkuara. Në komentet para parlamentit, zoti Ruhani tha se negociatat do të zhvilloheshin vetëm nëse Shtetet e Bashkuara heqin të gjitha sanksionet kundër Iranit dhe këto bisedime do të përfshinin të gjitha vendet sigluese të marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore të 2015.

Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq vjet nga marrëveshja pasi kritikoi ashpër termat e paktit të nënshkruar mes Iranit dhe një grupi vendesh ku përfshihen Britania, Kina, Franca, Rusia, Gjermania dhe Bashkimi Evropian.

Presidenti Trump javën e kaluar u shpreh i hapur për një takim me zotin Ruhani, duke thënë se “ka shanse të mira” që mund të zhvilloheshin bisedime. Udhëheqësi amerikan kërkon një marrëveshje të re me terma më të forta se pakti i 2015, e cila të përfshijë kufizime mbi aktivitetin bërthamor të Irani dhe ndalimin e provave me raketa balistike.

Presidenti iranian theksoi të martën se Irani kërkon garanci nga vendet evropiane se do të blejnë naftë duke anashkaluar sanksionet amerikane, përndryshe Irani ka kërcënuar se do të tërhiqet gjithnjë e më shumë nga angazhimet e paktit të 2015.

Aktualisht Irani ka kapërcyer sasinë e stoqeve me uranium të pasuruar si dhe nivelin e pasurimit që i lejohet të realizojë. Teherani nuk ka specifikuar se cilat janë hapat e ardhshëm, por mendohet se mund të reagojë duke pasuruar edhe në nivele më të larta ose duke vënë në punë centrifugat që u nxorën jashtë përdorimit pasi nënshkroi marrëveshje. /Zëri i Amerikës/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: