TIRANE– Ish-ministri i PD-së, Genc Ruli ka folur për raportet me ish-kryeministrin Berisha, dhe kreun e ri të kësaj force politike Lulzim Basha. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Ruli thotë se pas largimit të tij nga politika, takimet e tij me Berishën janë të rastit.

Duke u ndalur tek raportet e tyre të mëparshme, Ruli thotë se ai “nuk ka patur kurrë marrëdhënie vasiliteti me Berishën”.

Sakaq, ai ka komentuar edhe situatën brenda PD sot, të cilën e cilëson të dobët dhe pa vizion.
Sa i takon kryedemokratit Basha, Ruli tha se ai e ka të vështirë “të krijojë dritën e tij”.

PJESË NGA INTERVISTA

Si i keni marrëdhëniet me Bashën dhe Berishën?
Unë para zgjedhjeve parlamentare kam thënë këtu në “News24”, se nuk do të kandidoja më. Ka qenë një vendim i marrë me herët. Sot PD e shoh të dobët. Nuk ka vizion.

Pse është e dobët?
Në mënyrë alegorike, është si puna e lojtarëve që gjuajnë topin, por nuk e ndjekin për të bërë gol. Ka një problematikë nga rrezatimi që ka bërë Berisha. Basha si të thuash nuk është se ka një fluks të madh drite për të krijuar shumë karizëm. Ai kryetar është, por puna është sa je lider. Ai s’po fiton dot dritën e vet, imagjino edhe një prozhektor nga pas, sa e zbeh (Berisha). Kam patur gjithmonë shpresën se ndoshta një kërcim aq i papritur nga numër dy apo tre në vendin e parë. Një njëri duhet të përgatitet për të qenë lider.

Cili është raporti juaj me Berishën?
Përderisa jam larguar nga politika nuk kam më raporte. Ai është një personaliet i PD. Në qeverisje kemi patur edhe raporte të debatit apo konfliktit. Tashme takohemi rastësisht dhe politika nuk hyn më mes nesh.

Çfarë emri do t’i vinit marrëdhënies tuaj me Berishën?
Marrëdhënie tipike politike, pro pak atipike për kulturën politike shqiptare. Sot jemi mësuar me servilizma. Por unë nuk kam patur marrëdhënie vasiliteti, ndoshta edhe nga karakteri im. Në politikë nuk ka miqësi, por ka nevojë reciproke. Edhe Berisha ka respektuar të gjitha kompetencat dhe staturën time si ministër, edhe unë kam patur qëndrimin tim korrekt ndaj tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb