RUMANI-Të paktën 27 persona, pjesa më e madhe adoleshentë dhe të rinj kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi në një klub nate Rumani.
Sipas BBC shpërthimi ndodhi në klubin ‘Colectiv Club”’ në Bukuresht, ndërsa pas shpërthimit objekti është përfshirë nga zjarri.
Numri i viktimave është konfirmuar nga ministri i brendshëm Gabriel Oprea, ndërsa rreth 180 persona janë plagosur, 9 ndër të cilët në gjendje të rëndë.
Mësohet se në momentin e shpërthimit brenda në klubin e natës ishin rreth 400 persona. Dyshohet se shkak i shpërthimit ka qënë ndezja e fishekzjarreve brenda klubit të natës.

Në “Colectiv Club” në momentin e shpërthimit ishte duke u mbajtur koncerti i grupit rrok rumun, ‘Goodbye to Graviti’, të cilin po prezantonin hitin e tyre të fundit me një spektakël fishekzjarrësh të shpërthyera në ambientet e brendshme dhe lojëra piroteknike. Sic bëhet e ditur disa nga të plagosurit kanë djegie në 70% të trupit të tyre.
Një dëshmitar ka treguar për televizionin lokal, Antena 3 TV: Pas shpërthimit në çdo pjesë të klabit kishte flakë. Njerëzve u binte të fikët nga tymi i dërndur. Ishte një kaos i vërtetë, njerëzit shkelnin njëri tjetrin për t’i shpëtuar flakëve.

Mesazh ngushëllimi për ngjarjen shkroi dhe Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis në profilin e tij në “Facebook” duke thënë se ishte thellësisht i trishtuar nga ngjarja tragjike që ndodhi në mbrëmje në qendër të Bukureshtit.
“Kjo është një ditë e trishtuar për të gjithë ne, për kombin tonë dhe për mua personalisht”- shkroi Presidenti rumun Klaus Iohannis. Po ashtu edhe qeveria ka shprehur ngushëllimet e saj për këtë ngjarje të tmerrshme duke bërë dhe apel njerëzve që të dhurojnë gjak për të plagosurit.

(d.d/er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: