BUKURESHT- Rumania përkujtoi sot masakrën e Bukureshtit, të janarit 1941, një nga etapat më të errëta të historisë së saj, kur 151 hebrenj u vranë dhe qindra prona dhe kulte fetare u plaçkitën. Të mbledhur në sinagogën e madhe të Bukureshtit, e përdhosur 75 vite më parë, disa dhjetëra hebrenj, përfaqësues të autoriteteve rumune dhe anëtarë të trupit diplomatik vendosën kurora me lule dhe përkujtuan viktimat.

“Këto ngjarje tragjike përfaqësojnë një faqe të dhimbshme, një etapë të errët të historisë së hebrenjve të Rumanisë dhe të popullit rumun”, deklaroi për median Aurel Vainer, deputet i pakicës hebreje në Parlamentin rumun. Më 21 janar 1941, anëtarët e Gardës së Hekurt, një lëvizje fashiste dhe antisemite, e lidhur me qeverinë e mareshalit pronazist, Ion Antonescu organizojnë një kryengritje për marrjen me dhunë të pushtetit.

“Ata filluan një valë terrori, shënjestër e të cilëve ishin hebrenjtë, duke vrarë 151 persona në mesin e tyre dhe plaçkitur 616 biznese dhe rreth 20 sinagoga”, sipas raportit të një komiteti historianësh drejtuar nga Elie Wiesel, fituese e Çmimit Nobel për Paqen. Duke iu referuar akteve mizore, Vainer citon ndër të tjera ekzekutimin në një thertore të Bukureshtit të dhjetëra hebrenjve, trupat e së cilëve më pas u varën në shtylla me mbishkrimin “Mish i pastër”.

“Hordhitë e legjionarëve (anëtarë të Gardës së Hekurt) sulmuan lagjet hebrenje, duke masakruar dhe vënë zjarrin ndërtesave, ngarkuar në kamiona dhjetëra persona të cilët më pas u ekzekutuan në pyllin Jilava, në jug të Bukureshtit”, tregon historiani Adrian Cioflanca. Sipas tij, autoritetet e asaj periudhe u dhanë dorë të lirë legjionarëve për të përhapur frikë dhe panik, pa marrë parasysh thirrjet e dëshpëruara të hebrenjve.

“Ne, të mbijetuarit kemi për detyrë të përkujtojmë këto ngjarje për të parandaluar përsëritjen e tyre, duke përmendur kontributin e gjithë komunitetit johebre, që i ndihmuan ata në këto momente të vështira”, theksoi Vainer. Komuniteti hebre i Rumanisë, mjaft dominues me 800 000 persona përpara Luftës së Dytë Botërore, sot numëron rreth 5 700 persona. Sipas raportit të Wiesel, midis 280 000 dhe 380 000 hebrenj rumunë dhe ukrainas vdiqën nën regjimin e Antonescut, midis vitit 1940 dhe 1944 në territoret e kontrolluara nga Rumania.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: