Nënkryetari dhe kryetari i Gruit Parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, tha në fund të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se është rënë dakord që mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të zhvillohen fizikisht në salla.

Gjithashtu, Rushaj theksoi se në mbledhjen e sotme në Kryesinë e Kuvendit është rënë dakord që tre komisionet hetimore, të propozuara nga PD, të kalojnë në seancën plenare të datës 14 tetor për diskutim dhe miratim.

“Vendimi që u mor sot në Konferencën e Kryetarëve kishte të bënte me kthimin e ligjshmërisë, sa i përket mbledhjes së komisioneve. Pas përpjekjeve tona për të vendosur ligjshmërinë, lidhur me punën që opozita duhet të bëjë në komisionet parlamentare, sot u ra dakord përfundimisht që mbledhjet të bëhen me prezencë fizike, siç e parashikon rregullorja, duke respektuar masat anti-Covid.

Po kështu u diskutua dhe ra dakord që të tre komisionet hetimore të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim dhe miratim. Ne paraqitëm kërkesën tonë në përputhje me ligjin, dhe i bëmë të qartë deputetëve të PS se e drejta e opozitës për të ngritur komisione hetimore është e patjetërsueshme. U ra dakord që të tre komisionet të kalojnë në seancë plenare. Ne nuk tërhiqemi nga ajo që Kushtetuta ka vendosur në raport me komisionet hetimore”, tha Rushaj.

DEKLARATA E PLOTË E ALFRED RUSHAJT:

Vendimi që u mor sot në Konferencën e Kryetarëve kishte të bënte me kthimin e ligjshmërisë për sa i përket komisioneve të përhershme parlamentare.

Pas kërkesave tona, pas përpjekjeve tona për të vendosur ligjshmërinë në lidhje me punën që opozita duhet të bëjë në komisionet parlamentare, sot u ra dakord përfundimisht, formalisht që komisionet e përhershme parlamentare të bëhen ashtu siç rregullorja e parashikon me prezencë fizike, natyrisht duke respektuar çdo lloj rregulli dhe protokolli të sigurisë për sa i përket masave anticovid.

Po kështu u diskutua dhe ra dakord që të tre komisionet hetimore që opozita ka paraqitur në Kuvend të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim  dhe miratim.

Ne paraqitëm kërkesën tonë në përputhje me ligjin, në përputhje me Kushtetutën dhe pa dyshim i bëmë të qartë deputetëve të Partisë Socialiste që e drejta e opozitës për të ngritur Komisionet Hetimore, e drejta e opozitës për të caktuar objektin e hetimit është e patjetërsueshme dhe ne do ta respektojmë.

Pyetje: A e pranoi Partia Socialiste objektin e hetimit për të tre komisionet?

Alfred Rushaj: Nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit hetimor të ndonjë prej komisioneve. Ajo çfarë u ra dakord është në seancën e mbledhjes së datës 14 tetor këto komisione të kalojnë në seancë plenare.

Pa dyshim ne nuk tërhiqemi nga ajo çfarë Kushtetuta apo jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur në lidhje me objektin e komisioneve hetimore.

Pyetje: Janë rritur të gjitha Çmimet e produkteve të shportës, opozita propozon plan me shtatë pika, a nuk mendoni se duhet t’i thërrisni njerëzit në protestë. Nuk ka arsye?

Alfred Rushaj: Patjetër që do të flasim edhe për këtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb