Në prezantimin e nismës kushtetuese për vettingun e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj tha se vendi ka nevojë që ligji të miratohet pa vonesë dhe të nisë menjëherë zbatimin. “Ky projektligj i shërben dekriminalizimit të plotë të politikës, vettingut ndaj çdo funksionari kushtetues dhe mospërdorimit të krimit për të ardhur në pushtet apo mbajtur pushtetin.”- u shpreh zoti Rushaj.
Pjesë kryesore e argumenteve në prezantimin e nismës për ndryshimin e Kushtetutës, ishte përputhshmëria e propozimeve të PD për vetingun e politikanëve me qendrimet e mbajtura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Venecias, i cili ka dalë në konkluzionin se “në Shqipëri ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elementeve kriminale.”
Zoti Rushaj citoi edhe konkluzione të tjera të Komisionit të Venezias, që konfirmojnë se “Për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim” dhe se “skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”.
Kreu i grupit parlamentar të PD Alfred Rushaj shpjegoi se të gjtiha sugjerimet e Komisionit të Venecias janë pasqyryar në amendamentët e PD.
1. Ka detajim të qartë të subjekteve që do t’i nënshtrohen vettingut në politikë.
2. Është përcaktuar qartë çfarë do të konsiderohet “kontakt me krimin e organizuar” që passjell humbjen e mandatit apo kufizimin e të drejtës për të votuar.
3. Është përcaktuar qartë kush do të konsiderohet si “person i përfshirë në krimin e organizuar”.
4. Janë përcaktuar qartë rrethanat kur kontaktet me personat e krimit të organizuar nuk përbëjnë vepër penale, por mund të shërbejnë si kriter për moszgjedhjen.
5. Janë qartësuar rastet kur aplikohet përmbysja e barrës së provës, si do të aplikohet ajo dhe si personi duhet të provojë që s’ka kontakte me krimin e organizuar.
6. Është përcaktuar qartë periudha kohore që do t’i nënshtrohet procesit të verifikimit, duke zgjedhur një kohëzgjatje të arsyeshme për shtrirjen e kësaj periudhe verifikimi. Është përcaktuar edhe periudha e ndalimit dhe veprimit të kufizimit.
7. Është përcaktuar mekanizimi i zbatimit (organi), që do të jetë një garanci kushtetuese për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë gjatë procesit të vettingut të politikanëve.
Zoti Rushaj specifikoi se se vettingu i politikanëve është parashikuar të kryhet nga SPAK dhe të kalojë në dy filtra shtesë: Gjykata e Posaëme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Gjykata Kushtetutese.
Ndryshimet kushtetuese për zgjedhjet, PD: Miratim me konsensus i rregullave të lojës për të rikthyer besimin tek zgjedhjet
Ndryshimi tjetër i propozuar nga PD është zhbërja e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të 30 Korrikut 2020 për zgjedhjet, duke cenuar rëndë besimin e publikut tek zgjedhjet. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj, vuri në dukje 3 elementët kryesorë të Komisionit të Venecias dhe
ODIHR-it për një reformë të suksesshme zgjedhore:
1. Legjislacion i qartë dhe gjithëpërfshirës që përmbush standardet ndërkombëtare dhe adreson rekomandimet e mëparshme;
2. Miratimin e legjislacionit me konsensus të gjerë pas konsultimeve të gjera publike me të gjithë palët e interesit.
3. Angazhim politik për ta zbatuar në tërësi dhe në mirëbesim legjislacion zgjedhor. Debati për sistemin zgjedhor duhet të jetë i gjerë dhe t’u mundësojë palëve të interesit të parashtrojnë efektet pozitive dhe negative të kësaj reforme.
Dukë theksuar gjetjen e Komisionit të Venecias se procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë të 30 Korrikut ishte jashtëzakonisht e nxituar dhe në një kohë shumë të shkurtër, PD thotë se amendamentet e propozuar prej saj i shërbejnë kthimit të legjitimitetit në proceset zgjedhore përmes miratimit me konsensus të rregullave zgjedhore për një reforme të plotë që garanton zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Zoti Rushaj tha se për realizimin e këtij qëllimi, PD pret miratimin brenda kësaj të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.