Moska ka akuzuar 92 anëtarë të forcave të armatosura të Ukrainës për krime kundër njerëzimit, tha kreu i komitetit hetimor të Rusisë.

Alexander Bastrykin, ka deklaruar për gazetën qeveritare Rossiiskaya se mbi 1,300 hetime penale kanë filluar dhe ka propozuar të krijohet një gjykatë ndërkombëtare e mbështetur nga vende aleate të Rusisë, si Irani, Siria dhe Bolivia. Ky propozim është bërë për shkak se Siria dhe Irani votuan kundër një rezolute të OKB-së në mars që dënonte pushtimin rus të Ukrainës, ndërsa Bolivia abstenoi.

Nga ana tjetër, edhe Ukraina ka nisur hetimet e saj në lidhje me krimet e luftës.
Rusia ka hedhur akuza për 92 persona, përfshirë këtu 51 komandantë të forcave të armatosura, të cilaët janë shpallur në kërkim, tha Bastrykin.

Ukrainasit janë të përfshirë në “krime kundër paqes dhe sigurisë së njerëzimit”, tha ai për gazetën.
Por këtë muaj, Ukraina tha se po shqyrtonte më shumë se 21,000 krime lufte dhe krime agresioni që dyshohet se janë kryer nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit në shkurt. Në maj u mbajt seanca e parë gjyqësore për krimet e luftës në Ukrainë, ku gjykata mori masën “burgim të përjetshëm” për një komandant tankesh rus, i cili vrau një civil ukrainas.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (IÇ), e cila e ka përshkruar Ukrainën si “skenë krimi”, ka dërguar gjithashtu një ekip hetuesish dhe ekspertësh të mjekësisë ligjore në Ukrainë.

Kremlini mohon të gjitha krimet e luftës dhe faktin se ai ka shënjestruar civilët. Ai ka fajësuar rregullisht Ukrainën për bombardimin e infrastrukturës së saj dhe vrasjen e civilëve të saj, akuza të cilat janë hedhur poshtë gjerësisht nga udhëheqësit ndërkombëtarë.

A mund të ndiqet penalisht Putini për luftën në Ukrainë?
I pyetur në intervistë nëse mund të zhvillohet një gjyq i mbështetur nga OKB-ja, Bastrykin akuzoi Perëndimin për sponsorizimin e hapur të “nacionalizmit ukrainas” dhe tha se një gjë e tillë “është jashtëzakonisht e dyshimtë”.

Moska ka bërë vazhdimisht pretendimin e rremë se Ukraina është pushtuar nga neo-nazistët si justifikim për atë që ajo e quan një “operacion special ushtarak”.

Së bashku me qindra objektivë ushtarakë dhe politikanë ukrainas, Bastrykin tha se hetimet janë duke u zhvilluar ndaj punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë të Ukrainës, të cilët ai i akuzoi, pa dhënë prova, për shkatërrim në masë.

Mercenarë të dyshuar nga Britania e Madhe, SHBA-ja, Kanadaja, Holanda dhe Gjeorgjia janë nën hetim, tha ai për gazetën.

Në qershor, dy britanikë dhe një maroken, të cilët u kapën ndërsa luftonin për Ukrainën, u dënuan me vdekje nga një gjykatë ruse në lindje të Ukrainës.

Aiden Aslin, Shaun Pinner dhe Brahim Saaudun akuzohen si mercenarë, por familjet e britanikëve kanë këmbëngulur se ata janë anëtarë të ushtrisë ukrainase.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb