Bashkimi Evropian (BE) është njoftuar me kohë mbi vendimin e Qeverisë së Kosovës për anulimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka theksuar se Prishtina zyrtare ka të drejtën e një vendimi të tillë.

“Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes nga viti 2011-të dhe 2016-të, Kosova ka të drejtë që gradualisht t’i heqë targat “KM”, ka thënë Stano në një deklaratë me shkrim për mediat.

Ai ka konfirmuar se BE-ja është njoftuar në fillim të kësaj jave për planet e Qeverisë së Kosovës, por tha se nuk janë konsultuar.

Sipas zëdhënësit së Brukselit, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka shkaktuar reagim të ashpër nga Beogradi. Në reagimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 29 qershor ka akuzuar zyrtarët kosovarë se po përgatitin “persekutimin” e popullatës serbe. Ai nuk ka paraqitur asnjë provë për këto pretendime.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi , Mirosllav Lajçak, ishte në Beograd në momentin kur Qeveria e Kosovës shpalli vendimin.

Ai ka vlerësuar se në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës është krijuar një “situatë e re”, e cila ka ndryshuar “planet dhe qëllimet” e vizitës së tij./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: