Shtatë aktivistë rusë u dënuan të hënën me burgime të gjata, pasi u përballën me akuzat për terrorizëm. Gjykata në qytetin Penza i dënoi ata me 6 deri në 18 vjet burgim.

Të dënuarit thuhet se i përkasin një grupi të njohur si Set. Autoritetet ruse thanë se ata kanë bërë komplot për të rrëzuar qeverinë. Sipas hetuesve, grupi planifikonte të organizonte një seri shpërthimesh në Rusi gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit më 2018.

Hetuesit thanë se qëllim i tyre ishte destabilizimi i situatës dhe “rebelimi i armatosur”. Por, kritikët dhe grupet e të drejtave të njeriut thanë se akuzat janë trilluar dhe se aktivistët janë torturuar për të pranuar fajin.

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, shkroi në një postim në Twitter se dënimet janë “të tmerrshme” dhe se grupi Set është një “organizatë fiktive terroriste”.
“Çdo ministër në Qeverinë ruse është dhjetë herë më shumë kriminel dhe kërcënim për shoqërinë sesa këta djem”, tha Navalny.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International tha se akuzat janë sajuar në përpjekje për t’i heshtur aktivistët. Të dënuarit janë: Dmitry Pchelintsev, Ilya Shaursky, Andrei Chernov, Maksim Ivankin, Mikhail Kulov, Vasily Kuksov dhe Arman Sagynbaev. Ata janë arrestuar në tetor të vitit 2017.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb