Publikohen disa shkrime të panjohura të marra nga gazeta “Përlindja e Shqipnis” e vitit 1913, e cila në disa numra të saj, komentonte, analizonte dhe polemizonte me disa gazeta europiane, si “Temp” e Parisit, lidhur me vendimet e marra nga Fuqitë e Mëdha të Evropës, të cilat kishin ngritur një Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë, ku gjatë punës së tij, sidomos në Jug të vendit tonë me Greqinë, po ndeshej me lloj-lloj pengesash dhe intrigash të qarqeve shoviniste greke, të cilat me çdo kusht kërkonin të merrnin territore të mëdha tokash shqiptare. Madje orekset e tyre shkonin aq larg, sa që ata pretendonin se pjesa e popullsisë ortodokse të Beratit, që fliste greqisht, ishte popullsi greke. Jo vetëm kaq, por në atë kohë qeveria greke, i dërgonte një note proteste Austro-Hungarisë dhe Italisë, me anë të së cilës i’u bënte të ditur atyre, se ankesat që ata kishin bërë në adresë të Greqisë, për dëbimin me dhunë të popullsisë shqiptare të Jugut, apo siç e konsideronin ata “Vorio-Epirit”, ishin të pabaza dhe nuk qëndronin. Po në të njëjtën situate që asokohe ndodhej popullsia shqiptare në Jug të vendit, gjendeshin edhe shqiptarët që jetonin në trojet e tyre etnike në Veri të Shqipërisë, e cila përballej me terrorin e masakrave serbo-malazeze.

Plot 107 vite të shkuara, në vjeshtën e tretë të vitit 1913, shteti shqiptar, i cili porsa kishte shpallur pavarësinë dhe kishte krijuar një qeveri provizore nën kryesinë e Ismail bej Qemalit me qendër në Vlorë, po rrezikonte të copëtohej nga lakmitë shekullore të fqinjëve të tij, si në Jug ashtu edhe Veri. Në atë kohë, sipas vendimeve të marra nga Fuqitë e Mëdha të Evropës, ishte ngritur një Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë, i cili gjatë punës së tij, sidomos në Jug të vendit tonë me Greqinë, po ndeshej me lloj-lloj pengesash dhe intrigash të qarqeve shoviniste greke, të cilat me çdo kusht kërkonin të merrnin territore të mëdha tokash shqiptare. Madje orekset e tyre shkonin aq larg, sa që ata pretendonin se pjesa e popullsisë ortodokse të Beratit, që fliste greqisht, ishte popullsi greke. Jo vetëm kaq, por në atë kohë qeveria greke i dërgonte një note proteste Austro-Hungarisë dhe Italisë, me anë të së cilës i’u bënte të ditur atyre, se ankesat që ata kishin bërë në adresë të Greqisë për dëbimin me dhunë të popullsisë shqiptare të Jugut, apo siç e konsideronin ata “Vorio-Epirit”, ishin të pabaza dhe nuk qëndronin. Po në të njëjtën situate që asokohe ndodhej popullsia shqiptare në Jug të vendit, gjendeshin edhe shqiptarët që jetonin në trojet e tyre etnike në Veri të Shqipërisë, e cila përballej me terrorin e masakrave serbo-malazeze. Të gjitha këto dhe të tjera ngjarje të ndodhura në territoret shqiptare të atyre viteve, janë pasqyruar gjerësisht në disa numra të gazetës “Perlindja e Shqipëniës”, e muajve nëntor-dhjetor 1913, cila botohej në Vlorë, nga patrioti Dhimitër Berati. Disa prej atyre shkrimeve të botuara asokohe nga ajo gazetë, Memorie.al po i publikon në këtë shkrim, për të sjellë sadopak një panoramë të ngjarjeve të atyre viteve, ku i’u desh të kalonte shteti i ri shqiptar nën lakmitë grabitqare të fqinjëve të tij.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Perlindja e Shqipëniës”: Greqia dhe caktimi i kufijve të jugës

Kur e panë të dy qeverritë dorëzane, Austro-Hungaria me Italin, se fqinjët tanë nga ana e jugës përpiqen me ç’mundin për ta ndaluar veprën e Komisionit Ndërkombëtar, i cili ishte duke zbuluar të vërtetën e duke ndarë kufinjtë sipas urdhrave të saj, vendosën t’ja kujtojnë qeverrisë së Athinës, se qysh punon ajo, nuk punohet mirë, se vendimet e Konferencës së Londrës nuk do të lëvizen as me një gisht nga vendi i tyre. Italia dhe Austro- Hungaria duke i thënë këto fjalë Greqisë, nuk punonin kundër anëtarit të tretë të Trilidhjes. Gjermania, për të mos dhanë asnjë shkak atyne që kërkojnë të thonë se mendimi i saj nuk asht i një mendimi me atë të Vjenës dhe të Romës në punët e kufinjëve të Shqipërisë së jugut, i mbështeti kërkimet austro-italiane duke e këshilluar, miqësisht, Greqin, që të mos bëjë punëra kundër dëshirës së nomshme (ligjeve, shënim ynë), që kanë dy Fuqitë e tjera të Trilidhjes. Thonë se edhe Ingliterra me Rusin e paskan këshilluar Greqin, në mënyrën e Gjermanisë. Vetëm gazetat e Francës gjetën fjalë për t’a qortuar notën italo-austriane. Nota është e ashpër dhe qëllon t’a friksojë Greqin. Fuqitë e Trikuptimit nuk din gja për notën austro-italiane se tjatër lloj do të mos u kishin dhanë leje këtyre qeverive, të cilat me çështjen e Shqipërisë, bëjnë lojën e vet, që t’ë i thonë Greqis, të gjitha ato që i thanë, e sa e sa të tjera. Së këtejmi dolli edhe një polemik e ashpër midis shtypit të Francës dhe shtypit të Italisë, polemikë e cila gjer më sot akoma nuk ka marrë fund. Greqia, në notën që i dërgoi Austro-Hungaris dhe Italisë, proteston kundër atyre që thonë që qeveria greke, me sjelljet e saj të liga, i ka dhënë dërmën popullsisë së Epirit: (bëhet fjalë për masakrat çnjerëzore të andartëve greke në Shqipërinë e Jugut. Shënimi ynë), thotë se manifestimet dhe ndjenjat atdhetare që treguan vendasit ndër të gjitha viset që vizitoi Komisioni, u banë prej vetes dhe kaq me një shpejtësi sa nuk pat qeveria as më të voglën nevojë për t’i shtyrë a për t’i ndihmuar; ato që ngjanë në Korçë dhe në katunde të tjerë, ku u shfajësua më tepër ndërgjegjia kombëtare e popullsisë, banë që Komisioni të shohë vetë se sa e fuqishme asht lidhësia që bashkon këtë popullatë me atdheun mëmë, me Greqinë. Komisioni, thotë ndaj, që në krye të punës, kundër vendimeve të Konferencës, nuk banë tjetër veçse të shohë se ç’gjuhë flet vendi. Pastaj qeveria greke, numëron shumë fakte kundër disa anëtarve të Komisionit, të cilët nuk punojnë më në një mënyrë të pëlqyeshme për Greqinë; nuk thonë se vendasit kanë qenë dhe janë Grekër, pra duhet që ato vise t’i ngelen Greqisë. Po të mos soset puna e Komisionit gjer më 30 të nandorit (1913, shënimi ynë), thotë nota më në funt, faji nuk asht i qeverrisë greke, sepse ajo kish dhanë edhe i përsëriti, tash vonë, urdhrat e saj për t’ia lehtësuar punimet Komisionit. Ato që thotë Greqia në këtë notë, janë sende që rrëzohen pa shtyrë. Fajet e saj nuk mund t’i mbulojë me fjalë. Ç’ka bërë dhe po ban në viset që ka zënë, i kemi treguar shumë herë në shtyllat e kësaj gazete, duke dëftuar emrat dhe kohën e vendin ku kanë ngjarë ato punë kundra të cilave jemi qarë ne dhe, qeveritë dorzanë, kanë protestuar në Athinë. Faji i fajtorit nuk lahet duke thanë: s’kanë të drejtë ata që qahen kundër qeverrimit tonë. Sa për të sharat që u hedh përfaqësuesëve të Austrisë dhe të Italisë, Z. Doughty Ëyllie, Kryetar i Komisionit, i telegrafoi qeverrisë së vet dhe i tha se të thanat e qeverrisë greke kundër disa delegatëve, janë krejt të gënjeshtërta duke provuar me këtë se Anglia nuk kupton të punojë si punon kjo. Këto fjalë të paqme dhe të drejta të Kryetarit të Komisionit, bënë përshtypje në Angli dhe e shtërnguan mendimin e atyne t’atjeshëm që ta shohin të drejtë hapin i Italisë dhe të Austro- Hungarisë n’Athinë. Në përgjigjien e Greqisë, shohim një gjë tjetër fort për të vënë re. Thelbin e notës austro-italiane, Greqia nuk e cënon aspak. Ky thelb, asht me dy pika:

Më 31 të dhjetorit ushtria Greke duhet të dalë prej të gjitha viseve të mbetme në Shqipëri
Do të mbeten në Shqipëri të gjitha ato fshatra ku nuk mundi Komisioni t’a bajë mjaft mirë punën e vet.
Zoti Panas, në përgjigjien që i dha notës austro-italiane (përgjigjia e cila, duke shpresuar që të sjell një ndryshim në mendimin e dy qeverive, u bë me të shkrojtur, me gjithë kërkimet austro-italiane u thanë me gojë), nuk tha asnjë gjysëm fjale mbi këto dy pika me shumë rëndësi. Ngjan se Greqia, ma parë se të tregohet e zonja dhe të kundërshtojë kërkesat e drejta të Italisë dhe të Austrisë, desh t’a njoh mendimin e Fuqive të Trikuptimit mbi këtë çështje. Kuptohet vetiu se ky mendim nuk mund të jetë kundër mendimit të qeverive të Vjenës dhe të Romës, sepse këto qeveri, s’banë tjetër veçse t’ia kujtojnë Greqisë vendimet e Konferencës së Londrës, vendime të pëlqyera edhe prej Trilidhjes edhe prej Trikuptimit. Do të tregohet vallë Franca, Rusia apo Anglia kundër vendimeve të para? Do të dojë vallë Sër Eduard Grey, që të shkelet themeli i marrëveshjes të cilin mezi mundi ta gjejë në mes të atyne që mbështesin të drejtat e Shqipërisë dhe të atyne që mbronin kërkesat e Greqisë? Kjo nuk asht për t’u besuar. Veç Anglisë, ngjan se edhe Rusia nuk asht në mëndjen e atyne që kërkojnë, me një konferencë të dytë, t’i prishin vendimet e së parës. Të thanat e zotit Kokozeff, duhet t’i ulin kokën përpara vullnetit të Evropës, ashtu si bani edhe Serbia.

Kur të gjithë Fuqitë e Mëdha, mbështjellur në Londër mundën që të mirkuptoheshin për punën e krijimit të shtetit shqiptar të pavarur dhe për kufijt e tij gjithësisht, qysh nuk do të mundin anëtarët e Komisionit të pajtohen për çështje që nuk një rëndësi aq të madhe? Kështu thosh Kryetari i Këshillës Ruse dhe lajmet e sotme e vërtetojnë se, pasi u fol gjërë e gjatë për prishjen e Konferencës së Londrës e për mbajtjen e Konferencës përsëri, po, të gjitha fuqitë e mëdha, janë të mirëkuptuara dhe në një mëndje që themeli i vendimeve t”Evropës për punën e kufinjve të jugës, të mos tundet dhe Komisioni i Kufizimit, pas urdhrave që ka nga konferenca dhe pas atyre që marrin tani, delegatët, secili prej qeverrisë së vet, duhet ta mbarojë punën gjer në fund të këtij muaji dhe çështja shqiptare të jetë mbaruar së gjithash gjer më 31 dhjetor të muajit tjetër.

Grekët e Beratit dhe zoti Zograf

Sundimtari i përgjithshëm i Janinës, Gjergj Zografi, prej Qestoratit t’Sunxhit të Sundimtarisë s’Gjinokastrës, i tha korre- Z. De Zessen, mbi çështjen e Epirit e të Komisionit Ndërkombëtar për të shënuar kufijtë e Shqipëris së Jugut, këto fjalë të cilat i morrëm nga fletorja Greke “Nea Imera”, :”Faj i vërtetë u ba kundra Epiriotëvet, Greqia e shtytur prej ca Fuqive të mos rëndojnë Evropën, ndaloi vajtjen e ushtrisë përpara duke mos lënë në fat të tyre Grekët (siç) e Sanxhakut t”Beratit, të cilëve numri u arrin gjer më 40 mijë. Për shpagim kundra çdo padrejtësie la te Shqipëria vise të liruara prej Greqis dhe të cilëvet vendasit janë më të shumtit Grekë”. I mjeri “Temp” i Parisit ç’të vërtetë pret. Zoti Zograf, vendasit e qytetit të Beratit e të gjithë të rrethit të tij, i quan Grekë. Po nga se? Me doemos nga gjuha. Në Berat flasin pra greqisht pas mendjes së zotit Zograf dhe në Myzeqe prapë greqisht. Por le të marrë vesh zoti De Zessen të vërtetën prej nesh dhe jo prej zotit Zograf, i cili megjith se është shqiptar dhe bir shqiptari, ka mohuar kombësinë e tij dhe të tjerëvet, që vendasit e Beratit dhe të Myzeqesë janë kaq Grekë, sa janë vendasit e Parisit Grekë a Shqiptarë dhe gjuhën Greqishte e dinë kaq, sa dinë vendasit e Parisit greqishten a shqipen. Dhe vërtet. Mania, me qenë se është një sëmundje, e cila, për shkak ka trazimin e turbullimeve të trurit, shfaqet me një farë mënyrë që i pushtuari prej kësaj, çdo mendim e çdo ndjenjë i ul përpara një gjëje që ka në mendjen dhe dëshiron. Njeriu i shëndoshë në sheh ëndrra, sheh vetëm kur fle: por, i marri, ay që vuan prej manisë dhe ndiqet si lopa prej zegalit, sheh dhe ditën, kur qan, kur ha dhe kur flet. Po j’arrin vallë kësaj gjëje që dëshiron ky trup truthar?

Kurr. Ëndërra e tij, atëhere përmbushet kur merr funt jeta e tij. Grekët e vjetër duke mos pasur bar (ilaç, shënimi ynë), të posaçëm për të shënuar maninë, i dërgonin ata që vuanin prej kësaj sëmundje në Angli, ku gjendesh një bar i quajtur elevor, të cilin e hanin dhe shëndosheshin. Por ne Shqiptarët, të tillë bar, për fat t’ë keq për ata që vuajnë si Avdhirët e kohës së vjetër prej manisë, s’kemi veç tombrukun e manastiret. Të shtytur, pra, prej një të këtillë s’mundej, ca grekomanë të këtushëm, duke pandehur se rrojmë nën një qeverri jo shqiptare, por turke, të cilën e kishim, me anë të Patriakanës, klloçk e lodër të vollit të tyre, ngrihen varg e viz e shtetit shqiptar dhe ky shtet u ba. Jemi të siguruar se do të përparojë ky shtet dhe gjendja e tij do të forcohet. Qeveria e Përtashme, e formuar prej Shqiptarëve në një çast të rrezikshëm, qëndroi dhe ky qëndrim i fortë, me gjith që kishte mundime të mëdha nga ana e parave, e ushtrisë dhe ish e qarkuar nga të katër anët nga armiq që deshën humbjen e saj, na provon se Shqipëria, me një qeveri të forte do ta sigurojë përparimin e vet për gjithmonë. Çështja e princit, asht duke u zgjidhur dhe për pak kohë do të marrë fund për gëzimin t’onë dhe për lumturinë e Shtetit të Ri.

Terrorizmi ndër vendet e zaptuara nga Serbërit dhe Grekërit

Një gazetë inglize, “Mançester Guardian”, boton sende të tmerrshme që asht duke bërë Qeverria serbe ndër vise që ka pushtuar të cilat, sikundër vërteton edhe kjo fletore, sundimi i Serbis po shifet që asht më i ligë se i Turqisë. Kjo gazet, e cila asht ndër ma të vjetrat e serioze fletore liberale t’Anglis, boton një nom (ligj, shënimi ynë), ushtruar të rreptë që Serbia e ka vunë në veprim në Shkup e në Manastir, me të cilin dënohen me pesë vjet burg, e me shterngesë punimi (punë të detyruar, shënimi ynë), krejt ata njerëz që s’i dëftojnë qeveris kryengritësit, e me dhjetë vjet e shtërngesë punimit, ata që guxojnë të flasin një fjalë kundra nëpunësve. Një nyj (nen) i këtij nomi të jashtëzakonshëm, i jep të drejtë prefektëve që me përba doemos nome të policis, e me vendos ndëshkime jo më të mëdha se me tre vjet burg, e shtërngesë punimi për ata që prishin nomet. Serbia, thotë gazeta, nuk asht një vent me njerëz të qytetëruar dhe 80 % të atyre që rrojnë në Serbi, janë analfabetë. Tani lypset për t’i dhënë viseve të zaptuara sundimtar e nëpunës, të cilët gjenden po thuaj në një shkallë me shumicën e popullit. Serbisë, ata ma të mirët nuk duan t’i shkojnë në mërgim, në Maqedoni, e nga kjo rrjedh që nëpunës të cilët s’njofin as dijnë qeverrim as administrate, të marrin detyra, si me qenë mbretëra të dytë. Këto gjëra janë të përshkrueme nga një minister protestant, i cili pau me sytë e tij gjendjen e atyre viseve. Se çdo katër o pesë fshatra, kanë në krye të tyre një nëpunës i cili ka gjashtë o shtatë të tjerë nën urdhërat e tij; krejt njerëz të cilët jeta e tyre asht plot me të liga që kanë punuar. Këto duke pasur për shkak të shkelin shtëpiat e fshatrave për me kqyrun mos kanë armë e vjedhin e rrëmbejnë krejt se ç’gjejnë të çmueshme. Populli asht i shkelur në një mënyrë të poshtër e ligësinat janë në urdhër të ditës. Në një fshat prej njëqind e dhjetë familje, ka qenë shtërnguar të paguaja 6000 franga të dhanuna (vergji) dhe tani i kërkojnë edhe 2000 të tjera. Prifti i këtij fshati, për të mos qenë i ç’atdhesuar, ka qenë shtërnguar të paguajë 1500 franga. Kurbetçinjt e ngratë që kthehen nga Amerika, janë të shtërnguar të paguajnë 200 gjer në 400 qind franga, për me pasur lejen që të kthehen në shtëpitë e tyre, e mbi këtë lypset të shtohet edhe terrorizmi i çetave të komitëve të mbledhur nga qeveria, të cilët janë thirrur për të terrorizuar popullin. Edhe ndër vise të zaptuara nga grekërit, si kundër shkruan gazeta, nuk venë punët ma mirë. Ndër rrethet e Selanikut gjinden afër 3000 bullgarë të burgosur vetëm për një dyshim dhe për shkakun që janë nga kombësia bullgare. Numri i atyre që janë në burgjet e ishujve asht ma i madh. Këto kanë qenë të burgosur qysh në korrik, e janë duke pritur edhe që të gjykohen nga gjyqi ushtarak. Disa prej tyre kanë vdekur në burg. Gazeta thotë që po të kishin vepruar në këtë mënyrë turqit, Evropa do të ishte ngritur kundra tyre, por lypset të besojmë që Serbia dhe Greqia, qenkan tepër të pushtetshme që të qortohen, dhe qenkan të nderuara mizoritë kur po bëhen nga të krishterët. Këto se ç’shkruajmë kanë arritur që t’i shohin të huajt po ç’kanë parë vëllezërit tanë që e pësuan e janë duke pësuar ligësirat e Serbëve dhe Grekërve?

Caktimi i kufijve të Shqipërisë së Jugut

Dëshirojë që t’i paraqesim lajmet q’i japin gazetës “Temps” korrespondentët e saj nga Shqipëria e Jugut. Shifet nga këto lajme që merre “Temps”-i, se ç’ngatërresa përdorin grekët në çështjen e kufinjëve me gjith që gazeta e Parisit është vegla më e parë e intrigave greke dhe serbe: Më 23 të këtij muaji, i telegrafojmë “Temps”-it nga Janina, që populli i Brondarit ka protestuar kundra atyre mënyrave që po sjell Komisioni i Caktimit të Kufinjëve të Shqipërisë së Jugut, duke u qarë, përveç të tjerave, që kavasët e komisionit kane qenë përpara disa kohe anëtarët e një çete që ka mbytur një gruas në Borovë. I kanë bërë të ditur edhe kryetarit të komisionit, që sjellja e ca anëtarëve (!!!) asht duke shtuar zëmërimin që mbretëron në këto vise e që një zakon, që s’mund të prishet, ndalon të piqen, të huajt me gratë e tyne. Kryetari i është përgjigjur se janë duke i dhënë shumë rëndësi disa ngjarjeve pa shkak, e që i vjen keq që ky zakon i sjell ndalime punës së komisionit, e që asht gati me politikën që kur komisioni të flasë me gra, të gjindet kryeplaku i fshatit, o një prift ne mes. Prap më 23 të këtij muaji, gazeta “Temps” merr një tejshkrim prej Kolonje, nga korrespondenti i saj, ku thotë se Komisioni Ndërkombëtar ka vizituar fshatin e Qafëzezit. Vështrimi që u ba në këtë fshat qe i shkurtër, mbasi komisioni kërkoi vetëm nga disa fshatarë që t’i shohë e të flasë me grat e tyre, por ato j’u përgjigjën që: gratë gjinden në fushë duke punuar. Komisioni mbasi hëngri drekën, vazhdoi udhëtimin e tij e vizitoi fshatin Shtika. Fshatarët duke pas marrë vesh që kanë ngjarë skandale (punë të liga), ndër viset e Brondanit që kish vizituar komisioni, ishin tepër të pezmatuar. Delegatët u pritën me britma e me të thirrura: “Bashkim a Vdekje”. Mbasi kërkuan anëtarët e komisionit më parë gratë e fshatit, ju qe përgjigjur: “Na jemi grekë, ç’doni ju me dijtë ma tepër? Na s’jemi shqerra për t’u shitur”. Komisioni qenka nisur menjëherë dhe ka vajtur në Ersekë. Sot në mëngjez fshatarët e Qafëzezit kanë vajtur te qeveritari i kazasë dhe kanë protestuar kundra sjelljeve të një anëtari të komisionit, i cili duke shërbyer si përkthyes kolegëve të tij, po u jepka më tepër fytyrë zemërimi përgjigjieve të fshatarëve, e sidomos atyre fjalëve që i përkasin çështjes së grave, të cilat s’flasin veç se Shqipes. Gazeta “Temps”, këto komedia të grekëve i boton si me qenë telegrafuar nga korrespodentët e saj; por fletore të tjera këto lajme, identike, na thonë q’u dhanë nga një komunikatë e e Agjensisë së Athinës. “Corriere de la sera” e komenton këtë lajm në këtë mnyrë: kjo komunikatë nga burime greke merret në kuptim ma tepër, sepse po vërtetohet që Komisioni Ndërkombëtar për kufijtë e Shqipërisë, ndër sa vende që shkon s’mundet me mbarue vështrimet e saj, si duhet mbi karakterin etnik të banorëve, nga shkaku i pështjellimeve dhe të dëshmive me të trembur të filo-elenëve; mënyra e të cilëve, sikur thoshte dje një tejshkrim i Agjensisë “Stefan” nga Manastiri, asht asi lloji që besohet shumë mir, që kërkohet m’e i dhanë një fytyrë greke fshatrave që janë./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb