TIRANË- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti në konferencë me prodhuesit e vezëve ka komentuar edhe embargon e vendosur nga Rusia për prodhimet shqiptare.

Ministri u shpreh se ka qenë Shqipëria ajo që e ka paralajmëruar Rusinë për dokumentet e falsifikuara në një vend tjetër. Sipas tij prodhimeve jo shqiptare i janë falsifikuar dokumentet.

“Kemi qenë në bashkëpunim me rusët, i kemi njoftuar që ka pasur spekulim me certifikatat. Ne vumë re se futej 4 herë më shumë prodhim shqiptar në Rusi se sa janë kapacitetet tona. I thamë se ne i kemi me certifikatë origjine dhe nëpërmjet doganës vërtetohen, prodhimet tona. U vërtetua më pas se falsifikoheshin certifikatat fitosanitre, i vendosej etiketa si të prodhimeve shqiptare”, tha Panariti.

Sipas tij veprimi i palës ruse është i pajustifikuar, por se pala shqiptare vijon sqarimet.

“Me këtë rast dëmtoheshin prodhuesit shqiptarë, Ata do hapin padi. Pala ruse ndërmori një veprim të pajustifikuar, ne nuk kemi shkelur asnjë rregull. Ne do dërgojmë edhe dy specialistë tanët atje për sqarime dhe për të zhbllokuar situatën”, shtoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb