Ish-ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, Sokol Gjoka, aktualisht drejtor i organizatave ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme, foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për luftën që Rusia ka nisur prej tri ditësh ndaj Ukrainës.

Në studion e emisionit, ish-diplomati shqiptar tha se këtë radhë Rusia do ta ketë të vështirë të realizojë qëllimin e saj, për shkak të solidaritetit të madh ndërkombëtar, por edhe rezistencës së fortë të Ukrainës dhe ukrainasve për të mbrojtur vendin e tyre.

“Është diçka e paimagjinueshme që një vend i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të sulmojë një vend fqinj e kufitar, si Ukraina. Duke pasur parasysh marrëdhëniet mes dy vendeve, ku popujt trajtohen si vëllezër, ku pothuajse kanë eksperienca të përbashkëta, kultura e histori të përbashkëta, të vijë një moment që të ballafaqohen në kushte lufte, e cila shoqërohet me viktima, tmerre, dëmtime të pronës, pasiguri, krizë. Njerëzit tashmë të të dy krahëve e konsiderojnë njëri-tjetrin si armik, përveç forcave ushtarake të armatosura. Ishte jashtë çdo lloj logjike, por megjithatë lufta ndodhi. Nuk është hera e parë që Rusia ndërmerr veprime të tilla. Kemi ngjarjet në Gjeorgji më 2008, që çuan në aneksimin e dy rajoneve të Gjeorgjisë, që tashmë janë nën drejtimin e Rusisë. Kemi ngjarjet e 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë, duke bllokuar daljet në Detin e Zi, e duke ushtruar presion mbi Ukrainën, dhe tashmë që ndodhi kjo. Argumentet që përdori Putin ishin të pabaza, për të ndërmarrë këtë veprim, që është me pasoja të rënda. Në këto kushte, do thoja se përvesçe Ukraina dhe ukrainasit po e mbrojnë vendin e tyre, me një rezistencë të fortë, me një solidaritet shumë të madh ndërkombëtar, si asnjëherë tjetër, mendoj se Rusia jo vetëm që është e vetmuar, por e ka shumë të vështirë të realizojë qëllimin e vet kësaj radhe”, tha ish-ambasadori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb