Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë është zvogëluar tash për tash. “Rusia është ndalur së kërcënuari për përdorim të armës bërthamore, si përgjigje ndaj qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar që diçka e tillë përbën vijë të kuqe”, ka thënë Scholz. Scholz ka thënë të enjten se vizita e tij në Kinë ka kontribuuar në “vënien e ndalesës” ndaj kërcënimit për përshkallëzim bërthamor.

Ai ka thënë se bashkë me presidentin kinez, Xi Jinping, janë pajtuar që “armët bërthamore nuk duhet të përdoren” dhe këtë qëndrim më pas e ka mbështetur grupi i 20 vendeve më të industrializuara në botë – G20. Të mërkurën, presidenti rus, Vladimir Putin ka sugjeruar që Moska do ta përdorë armën bërthamore vetëm si shenjë hakmarrjeje. “Ne nuk jemi çmendur, ne jemi të vetëdijshëm çka janë armët bërthamore”, ka thënë Putin, në një takim të Këshillit rus për të Drejta të Njeriut.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara i kanë konsideruar këto komente vetëm si “bisedë e lirë”. “Është e rrezikshme dhe bie ndesh me frymën e asaj deklarate që ka qenë në thelb të regjimit për mospërhapje bërthamore prej Luftës së Ftohtë”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Putin ka pretenduar se Rusia e ka armën më moderne dhe më të avancuar bërthamore në botë dhe ka kritikuar strategjinë bërthamore amerikane. “Ne nuk kemi armë bërthamore, përfshirë ato taktike, në territorin e shteteve tjera, mirëpo amerikanët kanë – në Turqi dhe disa vende tjera të Evropës”.

Putin ka përmendur ato që i ka konsideruar rezultate “të mëdha” në luftën në Ukrainë, duke përmendur pretendimet e Rusisë për aneksim të katër rajoneve në Ukrainë, pas mbajtjes së referendumeve të rreme. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: