Sekretari i jashtëm i Indisë, Harsh Vardhan Shringla, ka bërë të ditur se Rusia ka filluar dërgesat e sistemit të mbrojtjes raketore me rreze të gjatë S-400 në Indi.

“Furnizimet kanë filluar këtë muaj dhe do të vazhdojnë të ndodhin”, tha Shringla në një konferencë për media pas takimit midis kryeministrit të Indisë, Narendra Modi dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në samitin vjetor Indi-Rusi që u mbajt në New Delhi.

Lidhur me Aktin e SHBA-së për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), Shringla tha se, “Unë nuk mendoj se kjo çështje u ngrit në bisedimet me delegacionin rus”.

India dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje prej 5.5 miliardë dollarësh për sistemin S-400 në vitin 2018, një veprim që hapi Indinë ndaj sanksioneve të mundshme të SHBA-së.

Ëashingtoni prej kohësh është përpjekur të pengojë vendet nga blerja e pajisjeve ushtarake nga Rusia, duke i kërcënuar ato me masa ndëshkuese sipas CAATSA-s.

India vazhdoi me marrëveshjen pavarësisht paralajmërimeve të Washingtonit se heqja dorë nga CAATSA nuk kishte gjasa, duke pohuar se ajo ka lidhje strategjike si me Rusinë ashtu edhe me SHBA-në.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, gjatë vizitës së tij në Indi në muajin mars përsëriti se të gjithë aleatët dhe partnerët e SHBA-së duhet të shmangin pajisjet ruse dhe “çdo lloj blerje që do shkaktonte sanksione”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb