Rusia filloi tërheqjen e trupave të saj nga Krimea dhe rajonet fqinje me kufirin ukrainas, sipas një deklarate zyrtare.

“Në përputhje me udhëzimet e Ministrit të Mbrojtjes të Federatës Ruse, Gjeneralit të Ushtrisë Sergei Shoigu, më 23 prill, trupat e qarkut ushtarak jugor dhe forcat ajrore të përfshira në ngjarjet e kontrollit të papritur filluan për kthimin në bazat e përhershme”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.

Aktualisht, njësitë dhe formacionet ushtarake janë drejtuar në stacione hekurudhore, fusha ajrore, duke kryer ngarkimin e armëve dhe pajisjeve në anijet zbarkuese, platformat hekurudhore dhe avionët e transportit ushtarak, theksohet në deklaratë.

Pas disa javësh tensionesh në rritje, ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, njoftoi të enjten se Moska do të fillojë tërheqjen e trupave të saj nga kufiri me Ukrainën.

Masa erdhi pas tensioneve njëjavore mes palëve në konflikt dhe pas akuzave për shkeljen e armëpushimit. Ukraina akuzoi Rusinë për dërgimin e trupave në kufi, ndërsa Moska tha se lëvizjet e saj ishin në përgjigje të “veprimeve provokuese të Kievit”, duke thënë se fqinji i saj perëndimor po përgatit një ofensivë që synon të sigurojë një zgjidhje ushtarake të konfliktit me mundësinë e armiqësive në kufi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e mirëpriti vendimin, duke thënë se “zvogëlimi i trupave zvogëlon proporcionalisht tensionet”.

“Ukraina është gjithmonë vigjilente, megjithatë mirëpret çdo hap për uljen e pranisë ushtarake dhe për normalizimin e situatës në Donbas. Ukraina kërkon paqe dhe është mirënjohëse ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre”, tha Zelensky.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb