Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, më 2 shkurt do të zhvillojnë një bisedë telefonike lidhur me krizën në Ukrainë.

Biseda ndërmjet Putinit dhe Johnsonit vjen në kohën kur përpjekjet diplomatike janë shtuar, që kanë për qëllim uljen e tensioneve lidhur me grumbullimin ushtarak rus në afërsi të Ukrainës. Perëndimi ka shprehur shqetësimin se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm.

Johnson e vizitoi Kievin më 1 shkurt dhe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Kryeministri britanik tha se grumbullimi i trupave ruse në kufijtë e Ukrainës “është ndoshta demonstrimi më i madh i armiqësisë ndaj Ukrainës që kemi parë ndonjëherë”.

Johnson paralajmëroi se Britania e ka të gatshme një pako të sanksioneve dhe masa të tjera, që do t’i shfrytëzojë “në momentin që këmba e ushtarit të parë rus futet në territorin e Ukrainës”.

Ai po ashtu tha se shtetet perëndimore janë të prirura që të angazhohen në dialog, po shtoi se “ne i kemi sanksionet gati”. Johnson sërish i bëri thirrje Rusisë që të tërhiqet dhe të zgjedhë rrugën e diplomacisë, duke thënë se një gjë e tillë është ende e mundshme.

Rusia mohon se është duke u përgatitur që ta sulmojë Ukrainën dhe ka kërkuar garanci të sigurisë, që kanë të bëjnë me zotimin për mospranimin e Ukrainës në NATO dhe që kjo aleancë ushtarake të mos zgjerohet në drejtim të lindjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb