RUSI-Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se formatet “G7” dhe “G8” nuk janë të mjaftueshme për të diskutuar problemet globale.

Në një dalje publike për shtypin rus, Peskov ka vlerësuar samitin e G7-s, që u mbajt në Pallatin Elmau, në Krun të Gjermanisë.

“Sot duket e pamundur që t’u gjendet zgjidhje problemeve globale nëpërmjet mbledhjes së 7 apo 8 vendeve. Putini fokusohet në formula të tjera më të frytshme, të cilat ruajnë ekuilibrat reale në ekonominë globale dhe në fusha të tjera”, tha Peskov në përgjigje të një pyetjeje nëse ishte ftuar, apo jo, Presidenti Vladimir Putin në samitin e G7-s.

Liderët e G7-s u takuan në samitin e mbajtur në Gjermani dhe në komunikatën përfundimtare, publikuar pas këtij takimi të nivelit të lartë, u theksua mbështetja për përpjekjet në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për mosmarrëveshjet në lindje të Ukrainës, raporton Trt.

Po ashtu, në komunikatën përfundimtare të samitit të G7-s, ku është dënuar edhe njëherë aneksimi i Krimesë nga Rusia, është nënvizuar gjithashtu se pritet që Moska t’i japë fund mbështetjes së separatistëve prorusë në Ukrainë dhe të zbatojë Marrëveshjen e Minskut.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: