Rusia lëshoi sot në orbitë një satelit europian për të vëzhguar tokën, me qëllim sigurimin e një sërë të dhënash mbi nivelin e oqeaneve, ngjyrën, dendësinë e akullnajave, apo temperaturën e sipërfaqes së planetit.

Një raketë ruse Rokot, që mban satelitin Sentinel-3B, u lëshua rreth orës 20:57 nga kosmodromi ushtarak i Plessetsk, në veri të Rusisë, sipas pamjeve të agjencisë hapësinore ruse Roskosmos.

Me një peshë rreth 1250 kilogram dhe formë që mund të krahasohet me atë të një makine të vogël, sateliti do t’i bashkohet vëllait të tij binjak Sentinel-3A, i cili u lëshua në shkurt të vitit 2016 dhe që po përshkon tokën në një lartësi prej 815 kilometrash.

Që të dy janë pjesë të Kopernikus, konstelacionit ambicioz të satelitëve vëzhgues të Tokës, ”Sentinel” të lëshuar nga Bashkimi Europian dhe Agjencia Hapësinore Europiane (ESA).

Ky do të jetë sateliti i shtatë Sentinel i lëshuar në hapësirë që prej prillit të vitit 2014. Të pajisur me radarë tepër të sofistikuar, dy satelitët Sentinel-1 ofrojnë aktualisht pamje të tokës si ditën ashtu dhe natën, pavarësisht kushteve meteorologjike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: