Qeveritë në Bullgari dhe Poloni thanë se Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz natyror që nga e mërkura, duke shënuar një përshkallëzim të madh në përballjen mes Moskës dhe Evropës lidhur me luftën në Ukrainë.

Ministria e Energjisë në Bullgari tha sot në mbrëmje se kompania bullgare e furnizimit me gaz natyror “Bulgargaz” kishte marrë një njoftim për ndërprerjen e gazit nga gjiganti energjetik i mbështetur nga shteti rus, “Gazprom”.

“Bullgaria ka ndërmarrë hapa drejt furnizimeve alternative të gazit”, tha ministria, duke shtuar se për momentin nuk ka nevojë për kufizime në konsumin e gazit.

Kompania polake e gazit natyror “PGNiG” tha më herët se “Gazprom” do të ndërpriste gazin që nga mëngjesi i së mërkurës, pasi Varshava kishte refuzuar kërkesën e Moskës për të paguar furnizimet e saj në rubla.

Zyrtarët polakë thanë se vendi është përgatitur për një skenar të tillë dhe se objektet e depozitimit të gazit janë aktualisht plot, (76%) krahasuar me 39% një vit më parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb